Përtej supit të saj

Të shpon kuqësija e trëndafilave që zbukurojnë tavolinën ku ti je ulur,
Por s’janë më të kuqe se buzët e saj, kuqësija.
Buzë më të buta e më të kuqe se qershija,
që përpëliten e flasin në drejtim te veshit tënd,
A e dëgjon se ç’të thotë?
I kërcëllon dhëmbët kur kafshon lehtas akullin e imët,
 që i mbetet në buzë gjatë gllënjkave të shampanjës
dhe atë çast të buzëqesh fare lehtë si me faj.

Femër më elegante s’kam parë kurrë në Paris,
sikur ta pranoja do xhelozoja këmbët e saj
që zbuloheshin nga hapja e gjatë e fustanit të kuq.

Trupi i saj, si mëndashf i klasit të parë, 
i kuq si gjaku ndrit.

I binte mënga e hollë e njërit krah dhe i zbulohej pjesë e lëkures,
për t’i çmendur aristokratët që e shoqëronin në tavolinë.
Gishtërinjtë e saj me thonj të kuq trazonin flokët e saj,
ndërsa dora tjetër mbante pëllëmben e dorës tënde.

Më e bukura e mbrëmjes shfaqej, 
më e bukur se Hëna vetë,
Por ti s’ja ktheje sytë ta ndrisje.

Fërfëllimë fustanesh, 
hapje shampanjësh,
tinguj violine, 
luks, diamante e perla… të qeshura grashë që eksitojnë.

Një mbrëmje aristokrate e rrallë,
 s’paska ndryshuar pothuajse asgjë,
edhe ti je i njëjti, vetëm dora që shtrëngon është e dikujt tjetër.

Në sytë e saj e shoh pasionin që ndjen për ty,
e kam zili dhe më dhimbset në të njëjtën kohë,
ti je i akullt e asgjë s’të le përshtypje tek ajo
je i brishtë njëjtë që guxon t’ia shtrëngosh asaj dorën,
që përtej supit të saj t’më shohësh mua.

Të thashë gëzuar nga larg 
dhe piva gllënjkën e fundit nga shampanja ‘Dom Perignon Rose’  
të dhurova një buzëqeshje therrëse që ngjan me ty.

Atë çast ndjeva se dikush m’u afrua, 
ishte një nga ata parizienët ‘’merre dhe hik’’ 
e më tha – Est-ce que je peux le plaisir de cette danse ? 
Il me fera plaisir- Iu  përgjigja dhe pa hezituar  isha në këmbë
Ishte gjëja që më së pakti do doje ta shihje, që ti s’do ta besoje,
moment i kobshëm që s’do shkulej nga mendja jote asnjëherë.

Revanshi është i ëmbël, por këtë herë ky nuk ishte qëllimi im,
ndjeva pëllëmbën e tij në belin tim që fuqishëm më terhoqi drejt tij
Melodia filloi, e kuptova se do luaja tango argjentinase.

Pasioni dhe eleganca u bënë një
Shikimin tënd e ndjeja të më ndjekë në çdo lëvizje dhe hap të tangos,
Po të vriste e ndjeja 
Tangon e parë e luajta me ty,
Por të fundit e ruajta për dikë tjetër…
S’je ti që po më mban në krah sonte
S’je ti që po më shtrëngon. 

Parisi ishte më i bukur se sahera këtë natë,
sikur u ndodha brenda një margaritari
që më kthente në jehonë mallëngjimi, Parisi…

Kishe pranë Hënën por si gjithnjë kërkoje yjet,
As nuk m’u afrove, veç shihje me sy e plasje me zemër,
Ah Parisi, Parisi… dashuria ime e parë dhe e fundit mbase.

Poezi nga Lira Bojku             

Lajme të ngjashme

Back to top button