Analizë: Kur shkatërrohet narativi, e vërteta del në sipërfaqe

Njëra nga shtyllat kryesore të qeverisjes së VMRO-DPMNE-së në nëntë vitet e fundit me Maqedoninë është kontrolli i fuqishëm mbi punën mediatike dhe porosia që del në publik, me çka arrihet kontroll preciz i narativit me anë të të cilit sundohet.

Shkruan: Sasho Ordanoski, еkspert i shkencave të komunikimit

Kontrolli mbi narativin është detyra thelbësore propaganduese e çdo regjimi autokratik dhe jodemokratik: tregimi duhet të jetë konsekuent, intensiv dhe i mbushur me emocione, të mos lë hapësirë që publiku në mënyrë racionale t’i pranojë porositë dhe për to të ketë mendime të veta, logjike. Domethënë, gazetaria nuk guxon të merret me faktet, por vetëm me interpretimin dhe kontekstualizimin e tyre në mënyrë manipuluese, ashtu siç e bën qendra propaganduese e partisë në pushtet.

E VËRTETA PARTIAKE

Ilustrim i mirë për përhapjen e “të vërtetës partiake” për realitetin është mënyra se si mediat proqeveriatre e “mbuluan” ditën (15 mars 2015) dhe disa ditë pas mbajtjes së tubimit partiak të VMRO-DPMNE-së në Qendrën sportive-rekreative “Boris Trajkovski” në Shkup. Shumica e portaleve proqeveritare (“Kurir”, “Netpress”, “Е-Vesti”, “Press 24”, “Vistina”, “Republika”, “Maksim” dhe dr.), si dhe televizionet kryesore proqeveritare, harxhuan qindra minuta kohë dhe hapësirë të madhe digjitale për ta propaganduar çdo pjesë, çdo fjali dhe tezë të fjalimit të këtij tubimi (i gjithë fjalimi mund të gjendet këtu) të Nikolla Gruevskit, kryeministrit dhe kryetarit të VMRO-DPMNE-së. Lajmet nga fjalimi rraskapitës 50-minutësh i liderit të pushtetit janë në seri, pas çdo presjeje dhe pike në fjalim:

  • “Gruevski: Na pret fushatë, prej qyteti në qytet, na pret shumë punë, shumë projekte të reja”;
  • “Te veprat është e vërteta“ ose “E vërteta është te veprat”;
  • “Zaevi manipulon dhe luan me fatet e njerëzve”;
  • “Njerëzit e njohin luftën tonë, ajo është fytyra jonë e vërtetë”;
  • “Realizimi i premtimeve është e vërteta”;
  • “Ngrihuni të gjithë të tregojmë se Maqedonia është shumë më e fortë se sa skenaret e ndryshme dhe agjendat e huaja”;
  • “Gruevski paralajmëroi fushatë investuese në Maqedoni”,
  • “Populli i tha JO Zaevit!”, etj.

(një përmbledhje ilustrative, edhe pse vetëm e pjesërishme e lajmeve të postuara mund të gjendet në agregatorin “Grid.mk” këtu dhe këtu)

443 „вести“ од говорот на премиерот Никола Груевски. Фото: Грид.мк скриншот
Fjalimi “më i cituar” në botë – agregatori “Grid.mk” ka regjistruar 443 “lajme” nga fjalimi i kryeministrit Nikolla Gruevski vetëm 24 orë pas mbajtjes së tij. Foto: “Screenshot” nga Grid.mk

Siç shihet, në fjalimin e kryeministrit, që pastaj dominon edhe në raportimin nga ai, dallohen fjalët kyçe nga narativi i Gruevskit gjatë gjithë nëntë viteve sa është ai në pushtet: dashuria e pushtetit ndaj të vërtetës, punës, projekteve, investimeve, dinjitetit, veprave, nderit etj; kundrejt skenareve, të huajve, manipulimeve, gënjeshtrave etj. të opozitës dhe të udhëheqësit të tij Zaevit. Tregim klasik, si në tregimet për fëmijë, për luftën ndërmjet të mirës dhe të keqes, ndërmjet forcave të “dritës” (patriotëve) dhe forcave të “errësirës” (tradhëtarëve), ndërmjet punëtorëve dhe dembelëve, ndërmjet të vërtetës dhe gënjeshtrës – narativ i cili papërmbajtshëm përkujton në seritë e popullarizuara turke ku shikuesit/lexuesit duhet t’i udhëheqë zemra dhe mjegulla roze mbi pamjen, e jo arsyeja dhe kthjelltësia në sy, në zgjedhjen e “heronjve” të tyre dhe “të  forcave të së keqes” në politikën maqedonase.

NJË FJALI

Kuptohet, shumë pak media proqeveritare në ditët e para nga raportimet për fjalimin e Gruevskit u “zbuluan” shikuesve dhe lexuesve të tyre se kryetari i VMRO-DPMNE-së, në fakt, në fjalimin e tij kyç në këtë fazë të karrierës së tij, nën presionin e realitetit dhe të forcës së argumenteve, pajtohet me disa nga propozimet më të rëndësishme të opozitës. E para, se në Maqedoni kriza politike është aq e thellë, sa që për zgjidhjen e saj nevojiten masa të jashtëzakonshme, të cilat dalin nga kronizate funksionimit “normal” të institucioneve tona. E dyta se mund të ketë qeveri kalimtare, mirëpo jo me pjesëmarrjen e Gruevskit dhe të VMRO-DPMNE-së në të – që, në fakt, përputhet me kërkesën për përbërje “teknike”, gjegjësisht “eksperte” të një pushtetit të tillë të përkohshëm ekzekutiv, që do të ketë kapacitet t’i bëjë përgatitjet (dhe të gjitha intervenimet e domosdoshme në atë proces, në indin administrativ dhe institucional të shtetit) për zgjidhje të drejta dhe demokratike në Maqedoni. E treta, se Gruevski pajtohet me trajtimin juridik të aferës me përgjimet me pjesëmarrje të mbikëqyrësve të huaj, duke e pranuar se legjitimiteti, mirëpo edhe kapaciteti i përbërjes aktuale të prokurorëve, si dhe i gjykatësve, nuk janë në gjendje të garantojnë proces korrekt dhe të drejtë gjyqësor. Me fjalë të tjera, fjalimi i Gruevskit mund të përmblidhet në një fjali:

(“Të gjitha akuzat e opozitës janë vepër e tradhëtarëve, të nxitur nga armiqtë e huaj të cilët duan të na e ndërrojnë emrin, për shqyrtimin politik dhe juridik të së cilës mund të formohet qeveri e përkohshme, përderisa unë e zhvilloj  fushatën time partiake nëpër fshatra dhe qytete, në përgatitje të zgjedhjeve të ardhshme!”)

Prandaj, mënyra e raportimit të mediave proqeveritare në vend e përmbush qëllimin e byrosë propaganduese të pushtetit në këtë moment, strategjia e të cilit është që t’u drejtohet, para së gjithash, strukturave partiake-shtetërore dhe mediatike të etabluara nga VMRO-DPMNE-ja që të mos besojnë në përmbajtjen e skandaleve të publikuara deri tani dhe të atyre që do të publikohen në të ardhmen nga ana e opozitës dhe të mos e humbin lojalitetin ndaj udhëheqësisë që është në pushtet. Për shkаk se për Gruevskin dhe për bashkëpunëtorët e tij më të afërt në partinë e tij dhe në sistemin e tij të mediave, piramida e lojalitetit, dëgjueshmërisë së padiskutueshme, por edhe e korrupsionit të praktikuar në detaje, është vendi i fundit për t’u strehuar, Bastilja e tyre, në ballafaqimin me zgjidhjen e krizës aktuale politike në Maqedoni. Duke e pasur parasysh zhvillimin e implikacioneve në vend dhe në nivel ndërkombëtar sa i përket këtyre skandaleve, ajo zgjidhje do të jetë shumë e pakëndshme pikërisht për udhëheqjen aktuale të VMRO-DPMNE-së në pushtet. Barazimi i partisë me udhëheqësinë e saj është shpresa e fundit dhe “zhetoni” më i madh për të bërë pazarllëk për mbijetesën politike (dhe juridike!) të klikës që është në pushtet.

Lajme të ngjashme

Back to top button