Autoritetet e Shkupit nuk bashkëpunojnë me Greqinë për aferën “Aktor”

Autoritetet greke raportohet se kanë nisur hetimin e rastit “Aktor”, ku dyshohet se përfaqësues të kësaj kompanie greke kanë korruptuar zyrtarë qeveritarë të Maqedonisë. Lajmin e bëjnë të ditur mediet greke, duke iu referuar raportit më të fundit të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik, për luftën kundër korrupsionit në Greqi. Rasti “Aktor” u denoncua vitin e kaluar nga Lidhja Social­ Demokrate e Maqedonisë, e cila tha se kompania greke fitoi tenderin për ndërtimin e autostradës Demir Kapi­Smokvicë, edhe pse oferta e saj ishte për 40 milionë euro më e lartë se ofertat e tjera.

LSDM tha se në aferën korruptive janë të përfshirë zyrtarë të lartë të shtetit. Mësohet se Athina zyrtare ka kërkuar ndihmë nga Shkupi për hetimin e rastit, por përgjigje nuk ka pasur, ndaj autoritetet greke i janë drejtuar për ndërmjetësim institucionit Eurojust.

Tani ky institucion evropian i drejtësisë ka marrë përsipër ndërmjetësimin e kërkesës greke dhe marrjen e të dhënave që u nevojiten autoriteteve greke për hetimin e plotë të rastit. Mediet greke shkruajnë se në raportin e OECD­së, rasti “Aktor” përmendet ndër 7 rastet ku biznesmenë grekë kanë korruptuar zyrtarë në SHBA, Oman, Qipro dhe Algjeri.

Lajme të ngjashme

Back to top button