Kriza politike – test për politikanët shqiptarë!

Kredibiliteti i partive politike shqiptare është dëmtuar seriozisht, dhe çdo kombinatorikë për hyrje në pushtet ose për ruajtjen e pozitave në pushtet, praktikisht do të thotë vetëm luftë e pastër për pozitë, vlerësojnë një pjesë e analistëve pasi tashmë u hap skenari për kurrorë të re të koalicionit ndërmjet PDSH-së dhe VMRO-DPMNE-së. Përderisa një pjesë e analistëve konsiderojnë se kryeministri Gruevski në këtë mënyrë dëshiron t’i përforcojë pozitat në kulmin e krizës politike, bile edhe nëse ka nevojë t’ia hapë derën edhe një partie shqiptare në pushtet, disa të tjerë konsiderojnë se në këtë mënyrë kryeministri dërgon porosi diciplinuese deri te partneri qeveritar, Ali Ahmeti, mirëpo edhe deri te një pjesë e partive më të vogla “të padëgjueshme” të koalicionit në pushtet.

Në vend të përgjegjësisë, luftë për ruajtjen e karrigeve…

Në vend që të përcaktohet dhe të kërkohet përgjegjësi, dhe mekanizëm për dalje nga kriza politike, politikanët kërkojnë mënyrë se si t’i ruajnë funksionet dhe pozitat në kurriz të demokracisë, komentojnë analistët. Koalicionet e reja të mundshme të pushtetit nuk paraqesin asgjë tjetër, përveç se shpëtim të pozitës personale, konsideron gazetari dhe analisti, Nazim Rashidi.

“Humbin qytetarët dhe demokracia. Humb gjithçka që është shtet, për shkak se nënçmohet përgjegjësia, mirëpo edhe ajo që është më me rëndësi, besimi te institucionet. Politikanët duhet ta kuptojnë se pas një krize të këtillë të rëndë politike, duhet pasur përgjegjësi. Dhe për herë të parë një gjë të këtillë e kërkojnë qytetarët, edhe shqiptarët edhe maqedonasit. Kjo krizë do të përfundojë me pasoja të mëdha, mirëpo ndoshta do të shkatërrohen edhe mitet për tensionet ndëretnike. Tani të gjithë e kuptojnë se shfrytëzohet gjithçka për të mbetur në pushtet me çdo çmim. Humbësi më i madh, si asnjëheri deri më tani, është Maqedonia. Nëse në vitin 2001 kishim krizë, kur vetëm një pjesë e qytetarëve (shqiptarët) nuk i besonin shtetit, tanimë askush nuk i beson asnjë pushteti. Një kaos të këtillë, edhe sikur të donin, nuk do të mund ta shkaktonin as armiqtë më të mëdhenj të Maqedonisë. Ndërsa ironia është se këtë e bëri, në shikim të parë, partia më patriotike”, thotë Rashidi, i cili nuk beson se në kushte të këtilla është i mundshëm koalicion ndërmjet VMRO-DPMNE-së dhe PDSH-së, ndërsa kredibiliteti i partive shqiptare në sytë e shqiptarëve është dëmtuar seriozisht.
Skenari sipas të cilit kryeministri Gruevski e hap derën për liderin e PDSH-së, Thaçi, fsheh një porosi të madhe për partnerin aktual në kurrorën qeveritare, – BDI – në e Ali Ahmetit, konsideron gazetari Ljubomir Kostovski.
“VMRO-DPMNE do të përpiqet të bëjë presion mbi BDI-në që të “mоs shpejtojë” me ndonjë hap befasues dhe të sigurojë legjitimet se ja, në pushtet, megjithatë ka “shqiptarë”. Mirëpo, në qoftë se BDI-ja, në rrethana të caktuara del nga koalicioni, PDSH-ja do të jetë parti e fshirë për votuesit”, thotë gazetari Kostovski, i cili njëkohësisht vlerëson se mundësia për hyrje të PDSH-së në pushtet është edhe porosi për partnerët më të vegjël të koalicionit dhe (pa)dëgjueshmërinë e tyre.

Përderisa nga njëra anë është skenari se koalicioni i zgjeruar qeveritar çon drejt përforcimit të pozitave të VMRO-DPMNE-së në mes të krizës politike, një pjesë e ekspertëve thonë se, nga ana tjetër, mu në këtë mënyrë DPMNE-ja trego dobësi.

“Nuk besoj se hyrja e PDSH-së në qeveri do të jetë në dëm të BDI-së, për shkak se për këtë marrëveshje DPMNE-ja do t’i japë nga vendet e saja të funksionarëve. Retorika e pushtetit është se me këtë e shpëton shtetin nga armiqtë e brendshëm dhe të jashtëm, mirëpo në fakt e tregon frikën dhe presionin e saj, për shkak se ka mungesë të kundër-argumenteve dhe do të mbetet me përkrahjen e popullit”, vlerëson analisti Jasmin Rexhepi.

Megjithatë, hyrja eventuale e PDSH-së në pushtet do ta dëmtonte komoditetin aktual të BDI-së, thotë gazetari Rashidi.

“Të gjitha partitë politike të shqiptarëve në Maqedoni janë nën presion të madh. Tashmë askush nuk beson në demagogji. Ahmeti dhe BDI-ja do ta humbin pozitën në pushtet, mirëpo më shumë se kjo, do ta humbin respektin nëse pas të gjitha qëndrimeve të tyre se gjithçka duhet të dalë në shesh, për shkak se nuk kanë se çka të fshehin, dëshmohet se megjithatë ata kanë qenë pjesë e manipulimeve. Është sekret publik se koalicioni VMRO-BDI është kurrorë e imponuar, mirëpo nga ana tjetër presioni nga shqiptarët është për shkak të paaftësisë për t’u ballafaquar me problemet dhe për t’i mbrojtur shqiptarët brenda institucioneve. Deri tani, BDI-ja, sipas deklaratave të përfaqësuesve më të lartë, akoma është në pozitë komode”, konsideron Rashidi.

Ajo që tani mund t’ua prishë llogaritë të dyja partive më të mëdha politike, sipas analistëve, është lëvizja e re politike BESA, të cilën e përkrahën disa intelektualë të njohur shqiptarë. Ata tashmë bënë thirrje se në këtë krizë politike, LSDM-ja opozitare duhet sa më shpejtë t’i publikojë bisedat që kanë të bëjnë me funksionarët shqiptarë.

Sipas analistëve, koalicionet e reja të mundshme nuk do të jenë zgjidhje për krizën politike, por vetëm një ndërhyrje kozmetike, e cila edhe më tepër mund ta thellojë atë. Që t’i vihet fund krizës politike, nevojitet zgjidhje politike, konsideron Rexhepi.

“Për zgjidhje ligjore nuk kemi sistem të kredibil, të pavarur juridik dhe gjyqësor. Të gjitha paditë penale të opozitës u refuzuan, si gjithmonë, në mënyrën siç dëgjuam te bombat, dhe për këtë arsye shumë politikanë opozitarë, aktivistë e madje edhe gazetarë do të jenë cak i pushtetit të hidhëruar. Që të mos vijë deri te kjo, nevojitet presion nga jashtë dhe mosnjohje e institucioneve të diskredituara të sistemit, që të mund të një qeveri teknike ose qeveri ekspertësh t’i përmirësojë ato institucione, dhe pastaj gjithë kjo të përfundojë me zgjidhje ligjore”, vlerëson analisti Rexhepi.

Аnalistët që i anketoi “Portalb”-i pothuajse njëzëri konsiderojnë se për zgjidhje politike, është e domosdoshme që sa më shpejtë dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë të kyçet faktori ndërkombëtar.

Lajme të ngjashme

Back to top button