fbpx

Mustafa optimist: Mbledhja e përbashkët, kapitull i ri bashkëpunimi mes dy vendeve

Vetëm një ditë përpara sesa të jetë i pranishëm në Tiranë, së bashku me delegacionin shoqërues të qeverisë së drejtuar prej tij, kryeministri i Kosovës Isa Mustafa ka reaguar në rrjetin social Facebook, duke shprehur gëzimin dhe optimizmin e tij për suksesin e mbledhjes së përbashkët të dy qeverive, e cila pritet të hapë një kapitull të ri bashkëpunimi mes dy vendeve.

“Të dashur miq, dua të ndaj me ju gëzimin, që tashmë po kryhen përgatitjet e fundit për mbledhjen e përbashkët të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe të Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë. Për qeverinë që unë drejtoj, prioritet është bashkëpunimi me Shqipërinë, përmes një politike të bashkërenditur për interesat tona të përbashkëta, për interesat e shqiptarëve në rajon, si dhe për realizimin e bashkëpunimit edhe për çështje të karakterit rajonal dhe të procesit të integrimeve euro-atlantike. Dy shtetet tona, kurrë deri më tash nuk e kanë pasur situatën më të përshtatshme në shtëpi, por edhe atë rajonale e ndërkombëtare, që të krijojnë politika të përbashkëta në të gjitha fushat, që na lidhin dhe i bëjnë marrëdhëniet tona dypalëshe të veçanta”, është shprehur kryeministri Mustafa.

Kabineti qeveritar i drejtuar prej tij në Kosovë pritet të udhëtojë përmes “Rrugës së Kombit”, për të ardhur në Tiranë, ku do të pritet nga kabineti qeveritar i drejtuar nga kryeministri Edi Rama. / TCH

Lajme të ngjashme

Back to top button