E talentuar për jetë

Pas operimit nga sëmundja fatale, sikur u rilind, ende më shumë iu qep jetës. Ditët e mbetura i shpenzoi bukur dhe intensivisht, ndryshe nuk dinte ajo. Ishte nga soji i veçantë i njerëzve të cilët afatin e vet të kufizuar në këtë botë e konsiderojnë për dhuratë të vlefshme, i ndjekin qejfet, nuk humbin kohë dhe nerva për imtësira. Melahati e kishte të qartë se lumturia nuk varet patjetërsisht nga ngjarjet e mëdha pasi në pritje të tyre na ikin Momentet, pa kthim. Shkurt, ishte e talentuar për të jetuar.

Sa kafe të pira me lezet në oborrin e saj herët në mëngjes derisa të tjerët flejnë, sa kafjalle në banesën e saj të vogël të mobiluar me shije: kombinim eklektik i komodinave të vjetra me divane moderne, të rehatshme, një karrige luhatëse afër dritares që përshkronte murin dferi në dysheme, aty tavolina e ulët me revista sipër. Përballë jetonte njëri djal, në katin e poshtëm tjetri.

Zgjohej me diellin, kafe-cigare…Shpesh i shkonin mysafirë në oazën e saj të vogël: shoqe, kushërira, rrinin me netë, banesa mbushej me të qeshura. Shfrytëzonte edhe mundësitë më të vogla për të shetitur, për të udhëtuar dikund, ishim të ngjajshme në këtë pikë. Bënim plane si do shetisnim verës nëpër Europë, kishte farefis degdisur nëpër metropole, përfshirë Parisin, Londrën, Kopenhagën. Do vish me mua, thoshte, ku unë aty ti. Plani ishte të udhëtojmë me bus, mandej me trena të shpejtë, plani ishte të mos kthehemi derisa ti harxhojmë paret. Nuk u bë kismet.

…i shoqi i Melahatit me tim at kishin qenë shokë të bangës gjatë gjithë shkollimit. Të afërt edhe në studime, mandej secili rrugës së vet: njëri i jepet politikës, tjetri me punë në Kaçanik dhe banesë në Shkup. Pas disa vitesh edhe ne u shpërngulëm në Shkup, në të njëjtën lagje. S’kishim farefis këtu, prindët ende nuk kishin krijuar miqësi të reja, ata ishin dera jonë e vetme në qytetin e ri, të huaj.

Më kujtohet kur na erdhën mysafir për të parën herë, dukeshin si çift filmik. Atë natë u pozicionova në një qoshe, dhe derisa nëna i shërbente unë nuk i shqisja sytë prej tyre. Ai dukej si Gregori Pek, i zeshkët, thatanik, me shikim të butë dhe ngapak të egër, kurse ajo si Brizhitja, po ato buzë të plota, sytë në formë bajamesh dhe flokët që ia preknin supet. Afërsi në shikim të parë.

Vizitoheshim rregullisht, por më së shumti i mbaj mend mbrëmjet e përbashkëta dimërore. Atëherë dimërat ishin të gjatë dhe të ftohtë, thupra të kristaltë akujsh vareshin prej pullazeve, prej degëve të xhveshura,  jashtë “bardhë, krejt bardhë”, brenda era e misrit apo gështenjave…Shpesh vinte edhe një shok tjetër i babës, edhe ata tetovarë në Shkup…Burrat flitnin për politikë (ishte koha e diferencimeve, lajmet televizive priteshin me shqetësim si katil-fermane, shumica ishin në shënjestër, zor-zaman); gratë herë u bashkangjiteshin atyre e herë ia krisnin temave të veta më të lehta, kurse fëmijet mbledheshim rreth tavolinës, plot zhurmë dhe gjallëri, deri vonë kah mesnata kur shpërndaheshin nëpër shtepi me hapa kërcëlluese mbi borë…

Vala e diferencimeve, me arsyetim groteks që tingëllonte si humor i zi, e kaploi edhe Melahatin. I mungonin fëmijët në çerdhe, koleget me të cilat ia kalonte bukur, më kujtohet që sytë i kishte si të fikur. Por, s’kaloi shumë kohë, ajo riktheu humorin, shkëlqimin dhe etjen për jetë.

Pa pak e motra u shtri nga sëmundja e rëndë, Melahati e morri në shtëpi që ditët e fundit ti kalojë e rrethuar me njerëz dhe përkushtim. Mandej e ëma sikur gjeti në harresë prehje nga dhembja për të bijën. Sklerotike, e rënë në shtrat, edhe ajo muajt para vdekjes i kaloi te Melo. Në familjet tona strehimi i prindërve në shtëpitë për pleq fatmirësisht ende konsiderohet për gabim të pafalshëm. Nëse këtë traditë arrijmë t’ua trashëgojmë edhe fëmijëve, nëse me shembuj personal dëshmojmë se nuk duhet lejuar vetmia të jetë dhembja më e rëndë e pleqërisë, kjo do të jetë fitore e humanizmit mbi modernitetit që shpesh barazohet me egoizëm, vrap të pakuptimtë dhe “dimër në njerëz”.

Muajin e fundit Melo ishte e palëvizshme, në gjendje që patjetërsonte kujdes 24 orësh. Dy djemtë e saj, të rritur në frymën e sakrificave, i rrinin pranë, me ndërrime; rreth saj deri në momentet e fundit mbledheshin mbesat dhe nipi, e përqafonin, ia puthnin faqet e zbehta. Kur një ditë do të rriten, një ditë që do të jetë ende më dinamike dhe më “moderne” se kjo sot, do ta kenë përvetësuar lekcionin e rëndësishëm për borxhin ndaj prindërve, kurse lekcionet që më së miri mbahen mend janë ato ku veprat flasin më zëshëm se fjalët.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button