Basha: Kërkesa e prokurorisë, larje hesapesh

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në një deklaratë për mediat e ka komentuar si “larje hesapesh” kërkesën e bërë këtë të premte nga Prokuroria e Përgjithshme për arrestimin e deputetëve Tom Doshi dhe Mark Frroku.

Në një prononcim për mediat, Basha ka theksuar se, teksa faktori ndërkombëtar kërkon një hetim të drejtë, të gjithë në vend e kanë humbur besimin se çështja “Doshi” do të zbardhet.

“Askush nuk beson më se çështja “Doshi” do të zbardhet. Rama dhe Meta i kërkuan Tahirit t’i mbyllë hetimet sa më shpejt”, ka thënë Basha, për të shtuar se zhvillimet e fundit vetëm sa shtojnë pikëpyetjet.

“Pse e lejuan Fatjon Skënderajn të largohej në Gjermani kur ishte i kërkuar”, ka qenë pyetja e shtruar nga Basha.

Sipas tij, përsa kohë i dyshuari kryesor i kësaj çështjeje, Ilir Meta, është ende në detyrë, hetim serioz nuk mund të ketë. “Kjo që po ndodh sot është një larje hesapesh mes Metës, Ramës, Tahirit, Doshit dhe Frrokut”, ka thënë Basha.

Kreu i partisë më të madhe të opozitës ka shtuar më tej se protestat e saj në ditët në vazhdim do të intensifikohen dhe u ka bërë thirrje qytetarëve që t’i bashkohen asaj.

“Protestat e PD do të vijojnë më të fuqishme për të kërkuar dekriminalizimin. Është kauza e dekriminalizimit të sistemit, e sigurisë, e taksave të larta. Prandaj ne u bëjmë thirrje qytetarëve shqiptarë që të bashkohen me ne”, ka shtuar Basha. / Top Channel

Lajme të ngjashme

Back to top button