Kush e beson më sistemin e drejtësisë në Maqedoni?

“Bomba “ e 12 e liderit të LSDM-së, Zoran Zaev shpalosi proceset e montuara gjyqësore mes VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së, dhe kjo rrit edhe më shumë dyshimet dhe mosbesim në kredibilitetin e gjyqësor për të zgjidhur edhe vetë rastin e përgjimeve.

Ekspertët juridik thonë se në mënyrë urgjente duhet të shqyrtohet puna e gjyqësorit dhe rrënjësit të bëhet reforma.

Profesoresha e Institutit për hulumtime sociologjike dhe politiko-juridike, Mirjana Najçevska theksoi se institucionet shtetërore duhet të pastrohen nga personat e emëruar nga partitë politike dhe më pas të fillohet një hetim i mirëfilltë.

“Jemi në situatë shumë të vështirë. Është normale që qytetarët dhe askush më nuk beson në një gjykim të drejtë dhe kjo është fakt, pasi që u dëshmua se si bëhen përzgjedhjet dhe emërimet në gjykata prandaj mendoj se së pari duhet të krijohet një qeveri ekspertësh e cila do të pastron institucionet shtetërore nga njerëzit e politizuar dhe më pas të zhvillohen hetime për këtë rast. Mirëpo edhe në përzgjedhjen e re duhet të tregohet kujdes sepse nëse në funksion vjen dikush që ka qenë i shkelur dhe ka duruar shumë, ai mund të shkelë punën dhe të bëjë hakmarrje dhe për këtë arsye me shumë kujdes duhet të punohet në këtë zgjidhje dhe të analizohet secili emërim që është bërë apo që do të bëhet, në mënyrë që të kemi një gjykim sa më objektiv”, tha për Portalb, Najçevska.

Drejtorja e Komitetit të Helsinku për të drejtat e njeriut, Uranija Pirovska, thotë për Portalb se qeveria duhet të reflektojë dhe të japë dorëheqje pas skandaleve të shumta që u publikuan.

“Është e qartë se gjykatat janë të politizuara dhe nuk kanë mundësi që të bëjnë investigimin e këtij rasti në të cilin janë të përfshire edhe vetë ata. Mendoj se qeveria duhet të kuptojë se nuk ka kredibilitet dhe të reflektoje duke dhënë dorëheqje. Sipas mendimit tim në këtë rast duhet të punojnë njerëz të zgjedhur profesional që nuk janë partiak, janë të pavarur me qëllim që në mënyrë sa më objektive të zgjidhin këtë skandal, sepse gjykatat në këtë moment nyejt si vetë qeveria nuk kanë kredibilitet”, tha Pirovska.

Avokati i Popullit Ixhet Memeti për Portalb thotë se përgjimet e publikuara së fundi nuk dëshmojnë vetëm politizimin e gjyqësorit por dëshmon rrënimin e thellë të jurisprudencës.

“Mendoj se këtu nuk bëhet fjalë vetëm për politizimin e gjyqësisë por bëhet fjalë për rrënim shumë të thellë të sistemit të jurisprudencës. Kjo që po publikohet po dëmton rëndë kredibilitetin, deri në atë masë që do të jetë shumë vështirë që të mund të kthehet besimi. Për përmirësimin e kësaj situate duhet të ketë reforma rrënjësore që gjyqësia dhe prokuroria të bind qytetarët që po punojnë në pajtim me ligjet dhe kushtetutën”, tha Ixheti.

Ndryshe, Ministri i Drejtësisë Adnan Jashari, theksoi se nëse bisedat që publikon opozita dhe që kanë të bëjnë me ndërhyrjen në punën e gjyqësorit vërtetohen si të sakta, do të nis procedurë në Qeveri për shkarkimin e prokurorit publik, por do të kërkojë informata edhe për gjykatësit dhe prokurorët e tjerë që eventualisht mund të jenë të përfshirë. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button