Putin: Sulmet do të nxisnin terrorizmin

Ndërkohë që Obama pushon përkohësisht, Putin del në qendër të vëmendjes, duke dashur t’i thotë diçka amerikanëve në lidhje me Sirinë, me anë të asaj që ai e quan “një lutje për të pasur kujdes”.

Duke shfrytëzuar faqen e opinioneve në “New York Times”, “për të folur drejtpërdrejt me popullin amerikan dhe liderët e tyre politik, në një moment komunikimi të pamjaftueshëm mes shoqërive tona”, presidenti rus Vladimir Putin ka paralajmëruar për përkeqësim të situatës në Lindjen e Mesme dhe në botë, nëse vendet do të anashkalojnë Kombet e Bashkuara dhe do të ndërmarrin veprime ushtarake.

“Sulmi potencial i SHBA-ve ndaj Sirisë do të rezultojë në rritjen e numrit të viktimave të pafajshëm dhe përshkallëzim të tensionit, duke e përhapur potencialisht konfliktin përtej kufijve të Sirisë”, shkroi Putin në editorialin e tij, që u shfaq mbrëmjen e së mërkurës online. “Sulmi do të shtonte dhunën dhe do të nxiste një valë të re terrorizmi”.

“Çdo veprim ushtarak do të minonte përpjekjet e gjithanshme për të zgjidhur problemin bërthamor të Iranit dhe konfliktin izraelito-palestinez, si dhe do të destabilizonte më shumë Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut. Ai mund të hidhte poshtë të gjithë sistemin e ligjeve ndërkombëtare dhe të çonte në një zhbalancim total”.

Duke e quajtur luftën civile si një “konflikt të brendshëm, i nxitur nga armët e të huajve të dhëna ndaj rebelëve opozitarë”, Putin paralajmëroi të mos mbahej ana e opozitës në Siri, që sipas tij “përfshin, më shumë se mjaftueshëm, luftëtarë të al-Qaeda-s dhe ekstremistë të çdo lloji”.

Megjithatë, ai nuk përmend fare faktin që Rusia furnizon prej kohësh me armë qeverinë siriane. Lideri i Rusisë tha se “nuk del në mbrojtje të qeverisë siriane”, por kërkon të favorizojë “një plan kompromisi”. Veprimet ushtarake kundër qeverisë siriane, pa miratimin e Këshillit të Sigurisë në OKB, “janë të papranueshme bazuar mbi statutin e Kombeve të Bashkuara dhe do të konsituonte një akt agresioni”, sipas Putin.

Duke kontestuar pohimet e Obamës dhe të tjerëve, Putin tha se “ekziston çdo arsye e mundshme të besohet se armët kimike nuk janë përdorur nga ushtria siriane, por nga forcat opozitare për të provokuar ndërhyrjen nga padronët e tyre të huaj e të fuqishëm, që do të viheshin në krah të fundamentalistëve”.

Përdorimi i forcës ushtarake ka “rezultuar joefektive dhe e pavlerë” në vende si Afganistani, Libia dhe Iraku, deklaron presidenti rus në opinionin e tij. Ai hamendëson se vdekjet mes civilëve në Siri, nëse do të ketë sulme ajrore, do të jenë “të paevitueshme”.

Putin përfundon opinionin e tij duke thënë se ai dhe Obama ndajnë “një besim në rritje”. E megjithatë, ai sfidoi gjithashtu çështjen e Obamës për mbinatyrshmërinë e amerikanëve në fjalimin e tij të mbrëmjes së të martës, duke thënë se “është jashtëzakonisht e rrezikshme të inkurajosh njerëzit të shohin vetveten si të jashtëzakonshëm, për çfarëdo lloj motivi”.

“Ne jemi të gjithë të ndryshëm, – përfundoi Putin, – por, kur ne lutemi për bekimin e Zotit, ne nuk duhet të harrojmë se Zoti ka krijoi të gjithëve të barabartë”.

Lajme të ngjashme

Back to top button