Angelov me ultimatum ndaj prokurorisë dhe Jankullovskës

Kryetari i “Dinjitetit” Stojançe Angellov me ultimatum ndaj Prokurorisë dhe Ministres së Brendshme. Ai kërkoi që deri në fund të ditës, këto dy organe të dalin me prononcim zyrtar, nëse kanë ndaluar apo jo publikimin e materialeve që vijnë nga LSDM-ja, dhe mbi çfarë baze. Për ministren e brendshme vazhdon oferta që ajo të japë dorëheqjen, nën garancinë e sigurisë ndaj saj.

“Nëse sot, deri në fund të kësaj ditë pune, Prokuroria Publike nuk tregon bazuar në çfarë vendimi e ka dërguar atë njoftim përmes të cilit e ndalon në mënyrë indirekte RTVM-së nga publikimi i “bombave” politike, do të konsiderojmë se njoftimi nuk ka vlerë. Kujtojmë se kjo paraqet krim dhe ndaj kësaj, dikush duhet të përgjigjet. Prandaj presim që në lajmet e sotme të programit të parë të RTVM-së, të lëshohet një kronikë më e gjatë me të gjitha momentet kyçe të dala nga bombat. Nëse ka ndonjë kronikë të tillë ne do të ndalim protestat dhe do të presim që RTVM-ja të vazhdojë me informimin e drejtë të opinionit. Nëse sonte nuk publikohet kronika, do të konsiderojmë se kryeredaktori i RTVM-së vetë ka marrë vendim për shkelje të Ligjeve dhe Kushtetutës”, u shpreh Stojançe Angellov, kreu i “Dinjitetit”.

Angellov paralajmëroi se nesër pasdite, me përkrahësit e tij, do të hyjë në objektin e Radio Televizionit të Maqedonisë pa përdorur dhunë, ku do të publikojë të gjitha materialet e lëshuara si bomba nga opozita.

Lajme të ngjashme

Back to top button