Prokuroria kërkon arrestimin e Tom Doshit dhe Mark Frrokut

Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkon arrestimin e dy deputetëve Tom Doshi dhe Mark Frroku. Organi i akuzës i ka bërë kërkesë Kuvendit të Shqipërisë që të lëshojë autorizim për ndalimin e tyre, transmeton Portali Albeu. Sipas Prokurorisë, dy parlamentarët akuzohen për dëshmi të rreme para prokurorit dhe kanosje për kallëzim të rremë. Prokuroria e Krimeve të Renda, ka dalë në përfundim se ngjarja është e sajuar dhe për këtë arsye i ka transferuar hetimet në Prokurorinë e Përgjithshme. Pak çaste më parë Prokuroria rrëzoi 3 kërkesat e deputetit Doshi për sekuestrimin e pamjeve filmike të aeroportit të Hanoverit në Gjermani, kërkesën për hetues të huaj dhe marrjen në pyetje të kryeprokurorit Adriatik Llalla.

“Prokuroria e Përgjithshme kërkon nga Kuvendi i Shqipërisë autorizimin për arrestimin e deputetëve Tom Doshi dhe Mark Frroku. Prokuroria e Përgjithshme kërkon nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë autorizimin për arrestimin e deputetevë të Kuvendit të Shqipërisë, Tom Doshi dhe Mark Frroku, bazuar në nenin 73/2 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.

Dy deputetët janë të dyshuar për konsumimin e elementëve të veprave penale; “Kallzimi i rremë”, “Kanosja për deklarime e dëshmi, ekspertim ose përkthim të rremë”, dhe “Deklaratat e rreme përpara Prokurorit”, parashikuar nga neni 305, 312/a dhe 305/a të Kodit Penal.

Në kërkesën që Prokurori i Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, i dërgon Kuvendit të Shqipërisë, sqarohen argumentat kundër dy deputetëve. Sipas kërkesës, Prokuroria për Krime të Rënda, më datë 03.03.2015, ka regjistruar kryesisht procedimin penal për veprën “Vrasja e funksionareve publike” mbetur në tentativë, të parashikuar nga neni 79/a – 22 i Kodit Penal, në bazë të deklarimeve të deputetit Tom Doshi, i cili ka deklaruar publikisht se ai dispononte prova, sipas të cilave, kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, kishte paguar vrasës me pagesë për të eleminuar fizikisht atë dhe një deputet tjetër.

Në të njëjtën ditë, Policia Gjyqësore pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka referuar materialet në ngarkim të shtetasit Durim Bami, i dyshuar për kryerjen e kësaj vepre penale.Në kuadër të hetimeve për këtë procedim penal, janë pyetur persona që mund të kenë pasur dijeni për rrethanat e ngjarjes, përfshirë edhe disa zyrtarë të lartë dhe deputetë të Kuvendit të Shqipërisë. Nga tërësia e veprimeve hetimore, kriijohen dyshime të arsyeshme se ngjarja e kallëzuar publikisht nga ana e deputetit Doshi, dhe e pohuar prej tij para organit procedues, ka qenë e sajuar.

Në asnjërën prej provave të grumbulluara deri në këtë fazë të hetimeve, nuk rezultoi ndonjë e dhënë konkrete dhe e besueshme për organizimin e vrasjes së Tom Doshit, e mbetur në tentativë. Nga ana tjetër, organi procedues, në bazë të provave dhe fakteve të mbledhura nga hetimi, ka arritur në përfundimin se kjo ngjarje është inskenuar nga shtetasit Tom Doshi, Mark Frroku dhe Durim Bami.

Prokuroria për Krime të Rënda, pasi ka arritur në konkluzionin se ngjarja është inskenuar nga ana e shtetasve Tom Doshi dhe Mark Frroku, i’a ka kaluar hetimin për kompetencë Prokurorisë së Përgjithshme, e cila ka tagrin ligjor për hetimin e zyrtarëve me funksion “deputet”.

Në analizën që i është bërë, materialit hetimor pranë Prokurorisë së Përgjithshme, është konkluduar se dy deputetët dyshohet se kanë konsumuar elementët e veprave penale; “Kallzimi i rremë”, “Kanosja për deklarime a deshmi, ekspertim ose përkthim të rremë”, dhe “Deklaratat e rreme përpara Prokurorit”. /Albeu

Lajme të ngjashme

Back to top button