V Ë R D A L L I S J E

Josif Visarionoviq Stalini, njëri ndër prijësit më të njohur bolshevikë, e hypi popullin në tren dhe e nisi për në komunizëm. Pas qindra kolometrash, treni u ndal.

  • Shoku Stalin, i tha makinisti. U harxhua qymiri dhe kemi mbetur në gjysëm të udhës.
  • Tërti n’furë çeçenët, kundërshtarët e sistemit, të dyshimtit, të sëmurët, pleqtë… E, nëse edhe ata s’mjaftojnë, qymir bëri edhe të tjerët, pa lodhur fiqirin. N’komunizëm duhet t’arrijmë me çdo kusht.

Natyrisht, makinisti zbatoi urdhërin dhe vazhdoi tutje gjersa u ndal sërish treni për mungesë karburantesh.

  • Shoku Stalin, foli dridhshëm makinisti. Dogja një për një gjithë miletin dhe tani kam mbetur midis një shkretëtire.
  • Qëndro aty, iu përgjigj Stalini me zërin entuziast të një triumfatori. Ke arritur n’Komunizëm.

Jua merr mendja se kjo është një anekdotë prej atyre që shpërfaqin njësoj edhe budallallëqet ordinere të satrapëve të njëmendësisë komuniste edhe idiotësitë e diktaturës demokratike, si kjo që praktikohet në zullullandin tonë të dashur, prijësit e të cilit i kanë hypur gjithashtu n’ringishpil çoveçinja-ta dhe po i shpiejnë drejt një hamami për t’ua shpëlarë trurin me fund. Detajet e sikterisjes në fjalë tani për tani i di vetëm suita e hajdutëve të ardhmërisë së popullit, i cili, i shushatur përrallash turlifare, i frikësuar gjer në palcë nga rreziku i statusit të përjetshëm të shkopit të lypsarit, ka degjeneruar në skrajë kolektive kafkiane dhe ka lënë fatin në mëshirën e askujt.

Dorën në zemër, në rrethana të vështira gjenden sot edhe vendet tjera të siujdhesës së mallkuar ballkanike, por kjo që po ndodh në sajesën tonë lilipute kapërcen edhe kufijtë më abnormalë të sjelljes së një pushteti ndaj deleve të (t)ulta të perëndisë.

Dhe a e dini përse ndodh kështu?

Sepse vendi i çudirave aktualisht prihet prej luigjësh të papërgjegjshëm, që, për paradoksin e paradokseve, vazhdojnë të duartrokiten nga masat e yshtura për gjynah, nga besnikët e përjermshëm ideologjikë që e kanë të vështirë t’mos e thirrin babë atë që ua asosh mamatë; nga fisi i pigmejëve të shkretëtirës; nga mjerimi që ndjek pelegrinazhin kutërbues të mizave dhe nga gjithë ata për të cilët treni karpatian i Stalinit mbetet prioritet i prioriteteve.

Nuk e di si e shohin piknikun theqafës me tren çoveçinja-t tjerë, po për vete s’kam asnjë dyshim: në shtetin që ka humbur kahmot busullën populli marshon pinguinshëm drejt kurgjësë, ngjashëm si ndjekësit e prijësit të romansierit serb Radoje Domanoviq, i cili, pasi vërdallisi për shumë kohë besnikët e udhëve të tij pa krye, u kthye befas kah budallenjtë dhe i pyeti:

  • Po ju, pse po më ndiqni? Unë jam i verbër dhe vërdallisjen e kam baba zanati.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Një koment

Back to top button