Ademi takohet me Lidhjen e arsimtarëve shqiptarë

Ministi i Arsimit dhe Shkencës, Mr. Abdilaqim Ademi, sot ka realizuar takim me Lidhjen e arsimtarëve shqiptarë, drejtorët e shkollave të mesme dhe fillore në rrethinën e Shkupit. Në këtë takim të përbashkët është diskutuar për orientimin e nxënësve në drejtime-profilet  që ata kanë më shumë aftësi, me c’rast u theksua se nevojitet të orientohen drejt shkollave të mesme profesionale. Në këtë drejtim duhet të jepen më shumë informata për regjistrimin e tyre, të njoftohen për përparësitë e zgjedhjes së drejtimit të duhur si dhe mundësitë që i jep mbarimi i shkollës së mesme profesionale.

Ministri i Arsimit Abdilaqim Ademi në këtë takim theksoi se shkollat duhet të përgatisin plan i cili do të fillojë të realizohet më herët me qëllim të informimit të nxënësve.

“Çdo shkollë fillore duhet të bëjë plan për orientimin e nxënësve dhe shërbimet e shkollës, pedagogu dhe psikologu të punojnë në mënyrë individuale me nxënësit. Në këtë nevojiten të kyçen prindërit dhe të koordinohen me ata”, tha Ademi. Sipas tij, edhe drejtoritë duhet të ndërmarrin masa konkrete duke promovuar shkollat e tyre dhe drejtimet ti përshtasin me nevojat e sektorit privat. Ministri Ademi me tjerash tha se shkollat e mesme me drejtime si: gjimnazi, ekonomia dhe mjekësia të respektojnë në përpikmëri kriteret e regjistrimit.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës, Komunat dhe Drejtoritë, shtoi ministri Ademi, në krijimin e politikave duhet të kyçin edhe faktorët relevant ose palët e tanguara.

“Të ftohen afaristë të suksesshëm që kanë kryer shkollë të mesme profesionale ose drejtim teknik në fakultet për të mbajtur ligjerata para nxënësve të shkollave të mesme. Të konsultohen Odat ekonomike në definimin e drejtimeve në shkollat e mesme profesionale dhe të mos lejojnë mosrespektimin e kritereve të konkursit për regjistrim në shkollat e mesme”, theksoi ministri i Arsimit dhe Shkencës, Abdilaqim Ademi.

Të pranishmit e përshëndetën këtë takim të përbashkët dhe e vlerësuan këtë hap të ministrisë, për konsultime me shkollat për përpilimin e konkursit për vitin e ardhshëm shkollor dhe në orientimin e nxënësve në shkollat profesionale.

Lajme të ngjashme

Back to top button