fbpx

Kinë-Japoni, bisedime për sigurinë, synohet përmirësimi i raporteve

Kina dhe Japonia po mbajnë takimin e parë të nivelit të lartë mbi sigurinë në katër vitet e fundit, pas tensioneve të krijuara së fundmi për shkak të pretendimeve territoriale të secilës palë.

Takimi, që po zhvillohet këtë të enjte në Tokio, vjen pas bisedimeve tripalëshe të mbajtura ditën e shtunë me Korenë e Jugut.

Raundi i fundit i bisedimeve daton në vitin 2011, përpara se marrëdhëniet mes dy vendeve të përkeqësoheshin për shkak të pretendimeve mbi sovranitetin e ishujve në Detin e Kinës Lindore.

Qeveria kineze akuzon gjithashtu Tokion se nuk ka shlyer si duhet përgjegjësinë e saj për agresionin gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Megjithatë, korrespondentja e BBC në Pekin raporton se marrëdhëniet po përmirësohen me ngadalë dhe në krye të axhendës së bisedimeve është vendosja e një linje detare komunikimi.

Frika që një përplasje, aksidentale apo të qëllimshme, mes anijeve paraushtarake kineze dhe japoneze që patrullojnë ujërat përreth ishujve të diskutuar të degradonte në një konflikt të armatosur ka qenë e madhe.

Numri dy i diplomacisë japoneze u tha gazetarëve se të dyja palët shpresojnë të diskutojnë mbi planet ushtarake të secilës palë.

Homologia e tij, Liu Jianchao tha se Kina shpreson që të dy vendet të përballen me historinë dhe të shohin drejt së ardhmes. / Top Channel

Lajme të ngjashme

Back to top button