Tunizi, 9 të arrestuar për sulmin

Autoritetet tuniziane kanë arrestuar nëntë persona në lidhje me sulmet e armatosura të së mërkurës në Muzeun e Tunizit, ku mbetën të vdekur 23 vetë, 20 prej të cilëve turistë të huaj.

Arrestimet u konfirmuan nga presidenca tuniziane. Dyshohet se katër prej të ndaluarve kanë lidhje direkte me qelizën terroriste që ndërmori sulmin makabër, ndërsa pesë të tjerët janë përfshirë duke ndihmuar dhe propaganduar ideologjinë ekstremiste.

Identiteti apo kombësia e të ndaluarve nuk bëhet publike dhe as detaje të tjera mbi hetimet.

Tunizia ka ngritur në nivelin maksimal sigurinë kombëtare. Presidenti Beji Caid Essebsi njoftoi zhvendosjen e trupave të ushtrisë për të përforcuar sigurinë në qytetet më të mëdha të vendit. Ai u zotua për të luftuar terrorizmin ‘pa mëshirë’. “Vendi ishte në luftë më terroristët” – tha ai. “Këto minoritete monstruoze nuk na trembin. Ne do reagojmë ndaj tyre pa mëshirë. Demokracia do të fitojë dhe do të mbijetojë”.

Kryeministri i Tunizisë, Habib Essid, e vlerësoi gjendjen aktuale të vendit si, “kritik në histori dhe një moment përcaktues për të ardhmen”.

Në momentin kur ndodhi sulmi deputetët ishin duke diskutuar në Parlament legjislacionin kundër terrorizmit. Parlamenti u evakuua dhe u mblodh më vonë për një seancë të jashtëzakonshme në mbrëmje.

Shumë tunizianë dolën në rrugët e kryeqytetit Tuniz për të protestuar kundër sulmit. Udhëheqësit botëror dënuan ashpër sulmin dhe shprehën mbështetjen e tyre në përpjekjet e Tunizisë në luftën ndaj terrorizmit.

Deri më sot, Tunizia kishte shmangur çdo lloj ngjarjeje të dhunshme të militantëve ekstremistë, që prej trazirave të vitit 2011, që rrëzuan autokratin Zine El-Abidine Ben Ali.

20 turistët e vrarë në sulmin e një dite më parë janë kryesisht italianë, spanjollë, polakë dhe gjermanë, që po vizitonin muzeun pas një ndalese në Tuniz të anijes turistike me të cilën po udhëtonin, ndërsa dy viktimat e tjera një qytetar vendas dhe një oficer policie.

Dyshohet se sulmi është kryer nga mbështetës të ISIS-it. Në një llogari në Tëitter, të njohur për mbështetjen dhe përhapjen e propagandës së ekstremistëve, disa orë para sulmit qarkulloi një shkrim.

“Lajme të mira do vijnë për vëllezërit tanë myslimanë tunizianë dhe të këqija për të gjithë të pafetë”, shkruhej në llogari.

Me nisjen e sulmit, ky shkrim është përhapur me shpejtësi dhe dhjetra mbështetës të ISIS-it kanë “lëvduar trimërinë e autorëve të sulmit”. / Top Channel

Lajme të ngjashme

Back to top button