Ahmeti: Le të na ndihmojnë ndërkombëtarët me përgjimet masive joligjore

Sot në selinë e partisë në Tetovë, Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrimj, Ali Ahmeti, ka pritur Ambasadorin e Norvegjisë, Nils Ragnar Kamsvåg.

Kryetari Ahmeti dhe Ambasadori Kamsvåg shkëmbyen opinione rreth zhvillimeve aktuale politike në Maqedoni, për aferën e përgjimeve masive si dhe integrimin EuroAtlantik të Maqedonisë, njofton kabineti i Ahmetit.

Ahmeti theksoi që Komisioni Evropian duhet të bëhet pjesë e lehtësimit të arritjes së zgjidhjes së problemit të madh me përgjimet masive joligjore në vend dhe në rivendosjen ne dialogut politik.

“Ekipi i mandatuar politikisht nga Komisioni Evropian, dhe i plotësuar me ekspert ligjor dhe të hetuesise, në bashkëpunim me autoritet vendore duhet të kontribuojnë në vendosjen e dialogut politik në vend dhe në zbardhjen ligjore të aferës duke përfituar besimin e të gjitha palëve të përfshira” ka thënë Ahmeti, njofton kabineti i tij.

Bashkimi Demokratik për Integrim konsideron që dialogu politik duhet të vendoset sa më parë dhe me ndërmjetësim ndërkombëtar ndërsa zgjidhja e situatës duhet të jetë rezultat i vullnetit konstruktiv të partive politike në vend nëpërmjet të dialogut të mirëfilltë.

“Kjo çështje duhet të tejkalohet sa më shpejtë dhe të gjitha partitë të rikthejnë fokusin në prioritetin e vendit, integrimin EuroAtlantik të Maqedonisë. Këtë e presin qytetarët tanë dhe Bashkimi Demokratik për Integrim punon në këtë drejtim. “ka thënë Ahmeti.

Ai bëri thirrje për angazhim të drejtpërdrejt të komunitetit ndërkombëtar në zgjidhjen e çështjes së emrit sepse vetëm kështu mundësohet stabilitet i qëndrueshëm, marrëdhënie të mira ndëretnike dhe ndërfqinjësorë, por edhe zhvillimi ekonomik.

Lajme të ngjashme

Back to top button