Thaçi kërkon zgjidhje të shpejtë të problemit me Maqedoninë

Kryeministri i qeverisë së Kosovës, Hashim Thaçi, bëri thirrje që të zgjidhet sa më shpejtë situata e krijuar ditëve të fundit me Maqedoninë, njofton RTK-ja.

Ai tha se situata e bllokimit të kufirit nuk është e shëndetshme as për shtetin e Kosovës as për shtetin e Maqedonisë dhe nuk është fryma evropiane e relacioneve të mira mes dy vendeve. Thaçi tha se Kosova e ka biseduar edhe me kryeministrin e Maqedonisë, ku është shprehur shqetësimi për këtë situatë të krijuar, andaj edhe kërkoi zgjidhjen e saj sa më shpejtë që është e mundur dhe të kthehet gjendja e mëparshme.

“Jemi dakorduar që kjo çështje të përmbyllet sa më shpejt që është e mundur, të kthehet në gjendjen që ka qenë, kështu që ju ftoj që të përmbyllet sa më shpejt që është e mundur, natyrisht duke respektuar gjithmonë interesat e qytetarëve dhe shtetittë Kosovës, por duke respektuar edhe standardet evropiane”, tha kryeministri Thaçi.

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Tregtisë Mimoza Kusari Lila njoftoi kabinetin qeveritar se situata në kufirin me Maqedoninë vazhdon të mbetet e njëjtë, dhe se sipas saj, deri te kjo situatë ka ardhur për shkak të refuzimit të Maqedonisë për heqjen e masës së ndalesës së importit të miellit. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button