TAP, Zvicra i jep Shqipërisë 6.6 mln euro

Zvicra jep 6.6 milion euro në mbështetje të Shqipërisë për të përfituar nga Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP). Granti nga qeveria zvicerane do të mbështesë institucionet shqiptare, që të zhvillojnë kapacitetet për zhvillimin e tregut vendas të gazit, zbatimin e projektit TAP dhe menaxhimin e projekteve të mëdha infrastrukturore.

Marrëveshja u firmos nga ministrat Damian Gjiknuri dhe Shkëlqim Cani nga pala shqiptare dhe Beatrice Maser, Drejtore në Sekretariatin Shtetëror Zviceran për Çështjet Ekonomike (SECO), nga pala zvicerane.

“Jam e lumtur t’ju njoftoj që pak çaste më parë nënshkruam Marrëveshjen e Projektit për Ndërtimin e Kapaciteteve për Zhvillimet e Mëdha të Infrastrukturës së Gazit në Shqipëri. Projekti dhe investimet e TAP janë të një rëndësie të lartë strategjike për Shqipërinë”, tha Maser, Kryetare e Divizionit për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ekonomik në Drejtorinë e Çështje të Jashtme Ekonomike tek SECO dhe Delegate e Këshillit Federal Zviceran për Marrëveshje Tregtare.

Sipas Maser, kjo marrëveshje ofron siguri të përmirësuar të energjisë përmes diversifikimit të burimeve, rritje ekonomike përmes një kuadri të forcuar për investime dhe reduktim të ndotjes, përmes uljes së importeve të energjisë që vjen nga burimet fosile.

Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri falënderoi qeverinë zvicerane për mbështetjen për sektorin e energjisë në Shqipëri, duke e vënë theksin te bashkëpunimi për një programi intensiv për diversifikimin e burimeve energjetike, përmes fondit që i shërben objektivit strategjik të gazifikimit të vendit. Ndërsa ministri i Financave, Shkëlqim Cani u fokusua në bashkëpunimin e frytshëm midis dy qeverive dhe falënderoi autoritetet zvicerane për kontributin dhe përkushtimin për programin e bashkëpunimit me Shqipërinë.

Ky kontribut i fundit i Zvicrës synon të përmirësojë kapacitetet e institucioneve shtetërore për menaxhimin e tregut të gazit në Shqipëri. Në vitet 2011-2013, Zvicra lehtësoi hyrjen e Shqipërisë në projektin TAP duke krijuar kushtet e përshtatshme të kuadrit dhe duke përgatitur terrenin për një furnizim të mundshëm me gaz të vendit.

Marrëveshja e re do të synojë të përmirësojë kapacitetet teknike dhe menaxheriale të administratës publike në sektorin e ri të gazit veçanërisht në lidhje me projektin TAP. Si një burim i ri energjie, gazi mund të kontribuojë shumë në sigurinë e energjisë duke plotësuar burimet aktuale hidro-energjetike. Prezantimi i infrastrukturës së gazit ka potencialin që të reduktojë kostot e energjisë dhe të ulë importet nga burimet fosile të vendeve fqinje, duke kontribuar kështu në reduktimin e efekteve serrë.

Zvicra ka mbështetur sektorin energjetik në Shqipëri në fushën e sigurisë dhe infrastrukturës së digave që nga fillimi i viteve ’90 dhe po konsideron eficiencën e energjisë si një fushë e re ndërhyrjeje./Shekulli

Lajme të ngjashme

Back to top button