Panik në fluturimin Uashington-Denver, pasagjeri përpiqet të hyjë në kabinën e pilotëve

Një pasagjer në fluturimin Uashington-Denver të kompanisë së fluturimeve “United Airlines” u arrestua nga autoritetet amerikane pasi përhapi panik në bordin e avionit.

Sipas mediave amerikane, që citojnë një zyrtar, pasagjeri është ngritur nga vendi i tij dhe ka vrapuar me shpejtësi nëpër korridore drejt kabinës së pilotit.

Fatmirësisht ai është neutralizuar para se të mund të hynte në kabinën e pilotëve nga pasagjerët e tjerë të avionit me 39 persona në bord, përfshirë këtu edhe ekuipazhin.

Agresori është lidhur prej pasagjerëve, ndërkohë që pilotët ndryshuan kursin e fluturimit duke u rikthyer sërish në Uashington, prej nga u ngritën. Në ulje, personi i neutralizuar u mor nën kujdestarinë e autoriteteve.

Autoritetet amerikane janë duke marrë në pyetje autorin e përhapjes së këtij paniku. Për momentin ato përjashtojnë mundësinë e përfshirjes së ISIS-it në këtë ngjarje. / Top Channel

Lajme të ngjashme

Back to top button