Greqia, Tsipras pritet të rrisë pretendimet në samitin e BE-së

Kryeministri grek, Alexis Tsipras do të diskutojë mbi nevojën gjithnjë e më therëse të vendit për likuiditet në bisedimet me udhëheqësit e Bashkimit Europian, gjatë samitit të kësaj jave në Bruksel. Lajmi konfirmohet nga një zëdhënës i qeverisë gjatë së mërkurës, teksa Athina përballet me mundësinë e të mbeturit pa parà në pak javë.

Greqia arriti një marrëveshje për shtyrjen me 4 muaj të programit të shpëtimit gjatë muajit të kaluar, por nuk ka përfituar asnjë ndihmë të re, të cilat mbeten të ngrira për shkak të prishjes së marrëdhënieve të Athinës me kreditorët ndërkombëtarë.

“Do të përpiqemi të qartësojmë gjithçka në lidhje me akordin e 20 shkurtit me Eurogrupin, dhe sesi do të shoqërohet me sigurimin e likuiditetit për ekonominë greke”, tha zëdhënësi i qeverisë, Gabriel Sakellaridis për mediat e huaja.

Tsipras kërkon të takohet me Kancelaren Angela Merkel, Presidentin francez, Francois Hollande, shefin e BQE-së, Mario Draghi, dhe kreun e Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker, përgjatë samitit të BE-së në Bruksel, që do të zhvillohet të enjten dhe të premten.

Sakellaridis tha gjithashtu se qeveria ka planifikuar të votojë, ashtu siç ishte parashikuar, projektligjin e parë të hartuar mbi përballimin e krizës humanitare për të cilën qeveria fajëson masat shtrënguese, pavarësisht një raporti që sugjeron kundërshtimin e partnerëve europianë.

Përfaqësuesi i KE-së, Declan Costello, i ka kërkuar qeverisë së majtë të Greqisë të hyjë në bisedime të mëtejshme në lidhje me projektligjin dhe planet për të vendosur një ligj për shlyrjen e borxheve me këste.

Parlamenti nisi debatin mbi projektligjin e krizës humanitare, që përfshin edhe masa për të ofruar energji pa pagesë dhe ushqime falas për familjet e varfëra, votimi i të cilit pritet të zhvillohet mbrëmjen e së mërkurës.

Ndërkaq, Presidenti i KE-së, Jean-Claude Juncker, tha të mërkurën se ishte i shqetësuar në lidhje me progresin e ngadalshëm në zgjidhjen e krizës së borxhit grek, si dhe nxiti palët e përfshira të përafrojnë qëndrimet e tyre.

I pyetur në një konferencë për shtyp në lidhje me përpjekjet për të kompletuar angazhimet, në mënyrë që t’i lejohet Athinës të tërheqë më shumë parà “cash”, si dhe mosmarrëveshjet mes Greqisë dhe kreditorëve të saj, shefi i ekzekutivit të BE-së tha se “jam ende i shqetësuar. Nuk jam aspak i kënaqur me këtë. Do të doja që të gjithë të përafronin qëndrimet e tyre”.

Ndërsa kreu i Parlamentit Europian, Martin Schulz, në një intervistë për revistën “Europolitics”, ka bërë të ditur se “brenda javës do të kemi një marrëveshje me Greqinë”.

“Ndjesia ime është se do të kemi marrëveshje me Greqinë brenda javës. Duhet të finalizohen negociatat. Ekziston një marrëveshje në parim në kuadër të Eurogrupit. Greqia nduhet të paraqesë propozimet për reformat, për kornizën e investimeve të vendit dhe ripërtëritjen e ekonomisë. Koha është tani, nuk mund të presim që të përfundojmë në kompromis. Jemi në fazën e fundit të negociatave. Nevojitet një zgjidhje para fundit të muajit”, ka thënë Schulz.
I pyetur në vazhdim nëse dhe sa duhet të përgatitet BE për mundësinë e daljes së Greqisë nga zona e euros, Schulz nënvizon.

“Jo. Nëse doni që dikush të qëndrojë në familje, nuk bëni studime lidhur me një dalje të mundshme. Po punojmë fort që ta mbajmë Greqinë në euro. Dua të ndihmoj qeverinë greke, cilado qoftë ajo qeveri, që të qëndrojë në eurozonë. Sepse spekulimi në kurriz të euros është dëshmuar veçanërisht i dëmshëm. Vija është e thjeshtë: Greqia mbetet në euro dhe porta e spekulimit në kurriz të monedhës së përbashkët mbyllet”. / Top Channel

Lajme të ngjashme

Back to top button