Për 100 ditë qeverisje, Mustafa vendos të heshtë

Janë bërë rrafsh 100 ditë prej kur Isa Mustafa u betua për bashkëqeverisje me PDK-në e Hashim Thaçit. Vetë kreu i ekzekutivit nuk ka thënë asnjë fjalë për 100 ditë të qeverisjes së tij. Për të kanë folur opozitarët.

Ish-bashkëpunëtorët e Mustafës në kohën sa ekzistonte blloku e kanë quajtur Qeveri të hajnisë, turpit, mjerimit e varfërisë atë të Isa Mustafës. Ramush Haradinaj ia ka renditur 100 dështimet e Qeverisë, e ato i ka dokumentuar edhe me fotografi, raporton KTV.

Haradinaj tha se për 100 ditë të Isa Mustafës kryeministër 100 mijë qytetarë morën rrugën e eksodit tragjik. Këtë Qeveri që i mbushi 100 ditë të ekzistencës e quajti Qeveri të krimit e nëntokës.

Edhe Vetëvendosje ka kritikuar ashpër 100 ditë të qeverisjes së Mustafës. Aida Durguti tha se këta tre muaj kanë shërbyer për të parë se sa e dobët është kjo qeverisje, e nuk pret që as për tërë mandatin të ketë rezultate të tjera. Ajo tha se hapat konkretë të qeverisjes LDK-PDK kanë qenë vetëm në raport me Listën Serbe, transmeton Koha.net.

Por, jo pak sfida e pritën Isa Musfën si kryeministër i ri. Në ditët e para të mandatit ishin kërcënimet për protesta e greva të sindikalistëve, të cilët kërkonin përmbushjen e premtimit për rritje pagash të premtuara nga ish-kryeministri Thaçi, por që Mustafa u tha troç se s’do të ketë.

Lajme të ngjashme

Back to top button