Tunizi, vriten shtatë turistë të huaj në një muze

Të paktën shtatë turistë të huaj dhe një shoqërues i tyre tunizian, janë vrarë të mërkurën në kryeqytetin e Tunizisë, në Tunis, pasi persona të armatosur janë futur në një muze dhe kanë qëlluar turistët me armë zjarri.

Shtetas britanikë, italianë, francezë dhe spanjollë ishin në mesin e atyre që para se të vriteshin u morën peng dhe u maltretuan brenda Muzeut Bardo, që ndodhet ngjitur me ndërtesën e parlamentit në qendër të Tunisit.

“Në kohën e sulmit deputetët ishin duke diskutuar legjislacionin kundër terrorizmit, por pas këtij akti terrorist, të gjithë të pranishmit në Parlament janë evakuuar”, ka thënë zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Mohamed Ali Aroui, njofton BBC, raporton Lajmi.net.

Ai ka thënë se në sulm kanë marrë pjesë dy ose më shumë persona të armatosur me kallashnikovë dhe kanë gjuajtur mbi turistët, disa prej të cilëve kanë arritur të largohen përpara se policia të shpëtonte turistë të tjerë që kishin mbetur brenda ambienteve të muzeut.

Muze Bardo, i njohur për artefaktet antike, është një atraksion i madh për turistët e huaj, mirëpo shqetësimet për sigurinë në Tunizi janë rritur pasi Libia fqinje është bërë gjithnjë e më e paqëndrueshme.

Një numër i madh i tunizianëve po ashtu kanë lënë vendin dhe janë shkuar për të luftuar në Siri dhe Irak përkrah “shtetit Islamik”, duke shkaktuar shqetësime se militantët e kthyer mund të vazhdojnë të kryejnë sulme terroriste edhe në shtetin e tyre, ashtu sikurse po bëjnë libianët në Libi.

Lajme të ngjashme

Back to top button