Sopranot vagneriane si kategori e veçantë e zërave femëror

Rikard Vagner, një nga figurat më gjurmëlënëse dhe revolucionare të muzikës, është kompozitor i cili ka dhënë kontribut shumë të rëndësishëm për këtë art, sidomos  për zhvillimin e harmonisë dhe të dramës muzikore, ideja e të cilit edhe sot e kësaj dite ka arritur të reflektojë ndaj artit muzikor. Ashtu si ç’thotë Eduard Hanslik në një nga shkrimet e tij: “Vagner njeh vetëm superlativën”. Në të vërtetë, edhe pse Vagner në fillim të krijimtarisë së tij krijonte muzikë të arrirë artistikisht edhe me gjuhë muzikore relativisht modeste, që atëherë vërehej qartë estetika dhe kredoja e tij artistike, e cila ndoshta është ndër më të madhërishmet që ndonjëherë ka njohur muzika perëndimore. Duke filluar me operën “Rienzi” dhe “Hollandezi fluturues”, filloi ndryshimi i konceptit që kishte ai për muzikën, kurse sukseset që i përjetoi me këto opera i dhanë emrit të tij pavdekësi në historinë e muzikës.

Cikli i tij monumental operistik konsiderohet tetralogjia Unaza e Nibelungëve, e përbërë nga katër opera: Ari i Renit, Valkiria, Zigfridi dhe Fundi i Perëndive. Ky cikël mbetet një nga kontributet më ambicioze dhe më me ndikim në literaturën operistike. Nga ana tjetër, opera Tristani dhe Izolda është ndoshta shembulli më përfaqësues i stilit muzikor  të Vagnerit, i karakterizuar nga një shkallë e lartë kromatizmi, kërkimit të paqëndrueshmërisë tonale dhe elementeve të veçanta muzikore, si lajtmotivet dhe lidhjet e rrjedhshme të ngjarjeve brenda operës.

Vagner i shkruante bashkë tekstin dhe muzikën për të gjitha operat e tij, me qëllim që ta plotësojë ideologjinë e tij artistike për krijimin e të ashtuquajturës dramë muzikore.  Shembulli dhe rezultati më i hershëm, në të cilën e hasim idenë e krijimit të kësaj “drame” ishte opera “Tristani dhe Izolda”, me një libret që pasqyron obsesionin e tij ndaj të vërtetës, pra, të jetës së tij, punës dhe dashurisë. Si ç’ndodh në të gjitha operat e Vagnerit edhe këtu luan rol sfondi natyror, nëpërmjet të cilit te dëgjuesi arrin të pasqyrohet aftësia dhe gjenialiteti orkestral i Vagnerit si kompozitor.

Sopranot vagneriane
Sopranot vagneriane

Vepra e fundit e Vagner, të cilën vet ai e quajti si mister apo të përafërt me një formë teatrale, ishte opera “Parsifal”, operë kjo ku bashkë me zhvillimin e ngjarjeve jepen edhe skena me bazë simbolike kishtare, të lidhura këto me portretin e personazhit kryesor. Kjo vepër ishte një ndër më të preferuat dhe më komplekset nga krijimtaria e tij operistike, ndaj nuk pranoi që të shfaqej në ndonjë teatër operistik të zakonshëm veç atij të Bajruth-it, të projektuar nga ai vetë dhe i ndërtuar me ndihmën e udhëheqësisë dhe qytetarëve të këtij qyteti.

Ashtu si ç’përmendëm më sipër, operat e Vagnerit kanë kërkesa të veçanta, si për hapësirën teatrore operistike, ashtu edhe për interpretim. Muzika e krijuar nga Vagner, më saktë operat e tij janë  ndër më të bukurat dhe më të fuqishmet në përmbajtje dhe ashtu si pohon Mark Tvain, muzika e Vagnerit është në fakt shumë më e mirë se sa nga mënyra si tingëllon. Pra, nëse shqyrtojmë teoritikisht veprën e Vagnerit, dalin në pah një sërë risishë në shumë aspekte muzikore, risi të cilat nuk mund t’i hasim më herët në rrugën e zhvillimit të historisë së muzikës. Ky zhvillim i ri muzikor e ndryshoi edhe konceptimin dhe mënyrën e tingëllimit të operës, me një harmoni të zhvilluar deri në kufijtë e skajshëm të tradicionales dhe me strukturim të ri të akteve dhe numrave operistik. Për operat e Vagnerit janë karakteristike edhe përmbajtjet dhe personazhet mitologjike dhe legjendare, si Brunhilda, Tristani, Lohengrin, Isolda e të tjerë, të cilat në kombinim me gjuhën harmonike dhe orkestracionin e pasur të operave vagneriane, kërkojnë zëra të fuqishëm dhe karakteristik. Për këtë arsye, sot, në trajtimet e zërave femëror, ekziston kategori e veçantë e sopranove, të ashtuquajturat soprano vagneriane, me cilësi zëri si të sopranove dramatike.

Karakteristikë e sopranove dramatike vagneriane është që ato duhet të këndojnë dhe të jenë të përkushtuara ndaj publikut dhe përtej tij; ato duhet të kenë gadishmërinë për tu përballur me një orkestër madhështore, me orkestracion kompleks, por në të njejtën kohë të kenë vëmendjen e duhur; zëri i tyre rrezaton madhështi dhe pushtet, me një timbër të errët dhe të plotë, i cili mund të dëgjohet dhe të depërtojë në gjithë publikun e pranishëm. Qëllimi i shprehjes artistike të sopranove vagneriane, nuk është që të tregojnë se sa mund të arrijnë në notat e sipërme të regjistrit të tyre vokal, por sa ato kanë aftësi për të shfaqur në mënyrë të plotë idenë artistike të veprës. Edhe pse nga një soprano dramatike pritet të kap tinguj shumë të lartë, zëri i saj nuk e arrinë ambitusin vokal aq lartë sa thuhet në literatura të ndryshme të teorisë së muzikës.      Sopranot dramatike janë një fenomen, ta quajmë, shumë interesant për nga mënyra e trajtimit nga kompozitorët italianë, francezë dhe ato gjermanë. Në operat italiane dhe franceze në rolet e sopranove dramatike janë zakonisht heroinat tragjike dhe të brishta, si Aida dhe Toska dhe në mënyrë të ngjashme dhe meloditë e tyre janë të lehta dhe delikate. Në anën tjetër, në operat gjermane, sopranot dramatike përfaqësojnë zakonisht karakteret mitologjike dhe heroike, si Brunhilda dhe Santa, me karakter më të guximshëm për sa i përket interpretimit. Kështu në fakt u krijua edhe kategoria e vecantë e sopranove, ato vagneriane. Ndryshe nga operat italiane, ato franceze dhe gjermane kërkojnë një interpretim më madhështor dhe më të qëndrueshëm.

Soprane të shumta të reja janë përpjekur për tu njohur si soprano dramatike, por vetëm disa prej tyre në të vërtetë kanë arritur ta bëjne atë. Një nga sopranot e cila njihet si e suksesshme në rolet vagneriane është Xhesi Norman. Ajo konsiderohet si soprane e dalluar vagneriane, e cila është fituese e çmimeve Grammy (si soprano dhe për recital), interpretuese e suksesshme e muzikës klasike, në të njejtën kohë soprano dramatike. Norman është e lidhur ngushtë me repertorin vagnerian dhe me rolet e Sieglinde, Ariadne, Alceste dhe Leonore.

Më pas, Maria Kallas është një soprano tjetër e dalluar vagneriane, e cila njihet për paraqitjet e suksseshme të roleve dramatike, për nga koloratura, teknikë me të cilën ndryshe nga sopranot tjera, ajo dallohet nga mënyra e veçantë e paraqitjes së kësaj mënyre të interpretimit. Sipas kritikëve, ajo ishte një soprano dramatike me vokal të veçantë, e cila gjithmonë shfaqte risi në paraqitjen e roleve dramatike vagneriane.

Një soprano tjetër e dalluar, ndër të parat që ju shkon ndërmend njerëzve për një soprano vagneriane, ishte norvegjezja Kristen Flagstad, e cila njihet si sopranoja e shekullit XX apo e cilësuar edhe si “zëri i shekullit”. Ajo kishte një zë të plotë, të fuqishëm, por në të njejtën kohë të butë. Krista Ludvig, është një tjetër soprano dramatike, e cila e përfaqësoi denjësisht karakterin vagnerian në interpretimet e saja. Një emër tjetër sopranoje, e njohur për rolin e Brunhildës dhe Izoldës, Helen Traubel, gjithashtu veçohet për përpjekjet e saja për operën vagneriane duke arritur suksese në rolet dramatike. Debora Voit, në sajë të fuqisë së zërit të saj të bukur është nderuar ndërkomëtarisht për rolet e saja në operat e Vagnerit, Shtrausit dhe Verdit. Ajo pa dyshim rradhitet ndër të parat në listën e sopraneve  dramatike vagneriane. Më tej, mund të përmendim edhe sopranon Astrid Varnaj, një vokal i zgjedhur i shekullit të kaluar, me dimensione dhe regjistër të pasur vokal arriti të rradhitet ndër këngëtaret më të mira vagneriane. Jane Eaglen, soprane angleze vagneriane e veçuar si interpretuese e suksseshme e roleve dramatike të Vagner, repertori i saj përfshinë arie nga Vagner, Bellini, Shtraus dhe Mocart. Një tjetër soprano gjermane, Ernestinë Shuman, është e njohur për rolet dramatike vagneriane, e dalluar për nga bukuria, pasuria tonale, fleksibiliteti dhe për gjërësinë e zërit të saj. Brizhit Nilson, një emër tjetër sopranoje suedeze vagneriane, e njohur për zërin e saj të fortë, madhështisë që ja dhuronte publikut dhe qartësinë në regjistrin e sipërm tonal. Marta Modl, ndër më të admiruarat soprano dramatike gjermane dhe me një karrierë të gjatë si soprano, njihet për rolet e Brunhildës dhe Izoldës, me çka vlerësohet për saktësinë e të kënduarit të roleve dramatike vagneriane.

Në të vërtetë, është një sfidë e madhe për një këngëtare ta realizojë ashtu si ç’kërkohet një rol operistik vagnerian. Është fat i mirë që historia e interpretimit muzikor veçmë ka krijuar emra të theksuar në aspektin e, ta quajmë, interpretimit vagnerian. Derisa do ekzistojë interesimi i publikut për gjininë e operës dhe derisa do ekzistojë durimi i publikut për dëgjim të një opere vagneriane, lista e sopranove vagneriane do jetë në rritje. Janë festivale të shumta botërore, si ai tradicional i Bayreuth-it apo edhe shumë tjera, të cilat vazhdojnë ta mbajnë gjallë frymën dhe fuqinë e operave të Rikard Vagner, opera të cilat padyshim që do mbeten ndër më revolucionaret dhe novatoret në aspektin artistik në historinë e muzikës botërore.

Shkroi: Saranda Bajrami, studente e muzikologjisë pranë Fakultetit të Arteve, dega-muzikë, në Universitetin Shtetëror të Tetovës

Lajme të ngjashme

Back to top button