Karajnov: Moska mbetet në krye të listës së prioriteteve të Maqedonisë

Për politikën e jashtme të Maqedonisë, Moska mbetet në krye të listës së prioriteteve, pavarësisht marrëdhënieve të tendosura të Rusisë me Bashkimin Evropian dhe NATO-n.

Ambasadori i ri i Maqedonisë në Rusi, Goce Karajnov, madje vlerëson se qëndrimi aktual i diplomacisë ruse se zgjerimi i NATO-s me Maqedoninë dhe vendet e tjera të rajonit shihet si provokim për Moskën, është si pasojë krizës në Ukrainë, dhe nuk paraqet pengesë për përcaktimin euro-atlantike të Maqedonisë dhe as kultivimit të marrëdhënieve të mira me Moskën, transmeton Alsat M.

“Pavarësisht orientimit tonë strategjik për anëtarësim me BE dhe NATO, Maqedonia gjithmonë ka pasur qasje të hapur, dhe marrëdhëniet me Rusinë gjithmonë  i ka konsideruar si prioritet i politikës së jashtme. Këto qëndrime edhe në të ardhmen do t’ua shprehim bashkëbiseduesve rusë”, deklaroi Goce Karajnov, Ambasador i ri i Maqedonisë në Rusi.

Ish ministri i jashtëm Antonio Milloshoski tha se Maqedonia ka interes politik, ekonomik dhe energjetik, që të avancojë marrëdhëniet me Rusinë.

“Orientimi ynë strategjik për integrim në NATO dhe BE nuk konsiderojmë se do të jetë në kundërshtim me përcaktimin tonë të zhvillojmë marrëdhënie të mira bilaterale dhe të avancuara me Rusinë”, tha Antonio Milloshoski, Kryetar i Komisionit për politikë të jashtme.

Megjithatë për deputetin e BDI-së Artan Grubi, interesat ruse për Maqedoninë dhe rajonin janë në kundërshtim të plotë me përcaktimin strategjik të vendit për anëtarësim në BE dhe NATO. Grubi nga ana tjetër kërkoi sqarim edhe për mbetjen pezull të procesit të emërimit të ambasadorëve shqiptarëve.

“Do ju kisha lutur edhe për një koment në lidhje me deklaratën e z.Ivanov, presidentit jo-legjitim të Maqedonisë gjatë vizitës në Moskë, i cili foli për prejardhjen e përbashkët të rusëve dhe të maqedonasve duke thënë që ndajmë shumë gjëra të përbashkëta përfshi edhe faktin se moskovitët dhe maqedonasit kanë prejardhje nga maqedonasit antik? Unë akoma nuk e kam të qartë se pse ambasadorët e propozuar nga Qeveria me përkatësi etnike shqiptare për ta përfaqësuar Maqedoninë, akoma nuk janë të emëruar si ambasadorë në vendet përkatëse?”, tha Artan Grubi, deputet i BDI-së.

“Për sa u përket ambasadorëve të tjerë, ata që janë propozuar nga Qeveria por ende nuk kanë marrë funksionin aty ku duhet ta përfaqësojnë Maqedoninë, mendoj se pyetja duhet t’i drejtohet presidentit legjitim të Maqedonisë, Gjorge Ivanov, i cili fitoi  në zgjedhje të drejtë dhe demokratike ku garuan më shumë kandidat”, u shpreh Antonio Milloshoski, Kryetar i Komisionit për Politikë të Jashtme.

Ambasadorët e propozuar për përfaqësitë diplomatike të Maqedonisë në Gjenevë, Katar, Bernë, Varshavë  prej kohësh presin emërimin. Presidenti Ivanov, refuzon të nënshkruajë pëlqimet për delegimin e tyre në vendet përkatëse, për shkak të kontestimit të legjitimitetit të tij nga BDI-ja.

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. me këtë politikë proruse Milloshovski me shokë, në fakt, u kërcënohet shqiptarëve

Back to top button