Drashkoviq: Kosova është shtet, Serbia pa tjetër do ta pranojë

“Ka ardhur koha që Serbisë dhe serbëve t’u tregohet e vërteta”, ka deklaruar në një intervistë për mediat serbe, Vuk Drashkoviq, udhëheqësi i Lëvizjes për Ringjalljen Serbe.

“Nuk ka asnjë serb i vetëm që është gjykuar në Hagë, dhe që në sytë e shumicës dërrmuese të njerëzve nuk është hero. Sllobodan Millosheviq është përgjegjës për politikën e humbjeve të tmerrshme dhe krimet. Ministrat e adhurojnë atë edhe në varr dhe thonë për të se ishte zgjedhur nga vetë Perëndia”, ka thënë ndër tjera Drashkoviq.

Drashkoviq thekson se po heshtet në lidhje me të vërtetën, dhe se shumica e krimeve në Kroaci, Bosnjë dhe Kosovë janë kryer nga pala serbe, transmeton shkrimin e Telegrafit.rs ATSH-ja.

Ai thekson se Serbia duhet të pranojë humbjen dhe se asgjë nuk mund të justifikohet.

“Politika e re duhet të pastrohet nga politika e mëparshme e disfatës dhe krimit dhe të gjitha armiqësitë e luftës duhet të kthehen në miqësi. Këtë e kanë bërë gjermanët pas Luftës së Dytë Botërore dhe e shohim se ku janë sot. Këtë duhet ta bëjë edhe Serbia.

Serbia duhet që armiqësinë me shqiptarët, boshnjakët dhe kroatët ta shndërrojë në miqësi. Sigurisht ende ka dhimbje për viktimat e bombardimeve të NATO-s, por numri i këtyre viktimave është shumë më i vogël se sa të themi, numri i viktimave të vrarë nga bombat serbe vetëm në Sarajevë. Për tre vjet, janë vrarë afër 12.000 civilë, nga të cilët më shumë se 2.000 fëmijë”, ka deklaruar Drashkoviq.

Ai ka folur edhe për marrëveshjen e Rambujesë, duke rikujtuar refuzimin e Millosheviqit për ta pranuar atë.

“Në Rambuje, Perëndimi ofroi për të nënshkruar një autonomi të lartë për Kosovën brenda Serbisë, për të mbajtur të gjitha simbolet e sovranitetit, si dhe prezencën e 10 mijë ushtarëve dhe dy mijë policëve, të cilët do të ndihmonin trupat e huaja në zbatim të marrëveshjes dhe për çarmatosjen e UÇK-së.

Kjo marrëveshje u refuzua nga Serbia dhe pastaj, si dënim, mbërriti propozimi inferior, i cili gjithashtu mendoj që, për të parandaluar bombardimet e NATO-s, duhej pranuar – por Serbia nuk e pranoi”, ka thënë Drashkoviq.

Njëra ndër arsyet se pse e kishte refuzuar këtë marrëveshje Millosheviqi, sipas Drashkoviq, ishte fakti se ai dëshironte edhe më tej të “afrohej” me Rusinë.

“Sapo filluan bombardimet, Kuvendi Federal pranoi propozimin e një konfederate me Rusinë dhe Bjellorusinë”, ka theksuar Drashkoviq.

Drashkoviq ka folur edhe për planin “Dy K”.
“Po heshtet edhe për këtë. Para “Z-4” ka pasur një iniciativë nga Kongresi i ShBA, që unë e kam mbështetur fuqishëm – plani “Dy K” (Kosova dhe Krajina), me të cilin parashihej që Kosova në kuadër të Serbisë të ketë po atë status që do të ketë Krajina në kuadër të Kroacisë. Edhe këtë Beogradi e refuzoi duke u tallur me të”.

I pyetur nga Telegrafi nëse statusi i Kosovës përbën edhe një të vërtetë tjetër që Serbia duhet ta pranojë, Drashkoviq u përgjigj:
“Ta merr mendja.

Ne nuk kemi të drejtë të mohojmë gjendjen faktike. Shumica bindëse e anëtareve të KB dhe BE ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe ky numër nga dita në ditë do të rritet dhe Serbia kësaj nuk ka çfarë t’i bëjë. Serbia nuk ka të drejtë të mohojë realitetin. Serbia, nga arsye emocionale dhe historike refuzon të njohë formalisht pavarësinë, por pavarësia faktike s’mund të mohohet. Ashtu siç nuk mund të gënjehet populli i vet se në Bruksel po negocionuakan Serbia dhe Serbia. Atje nuk po bisedohet ndërmet Serbisë e “institucioneve të përkohshme të krahinës”.

Kjo është për Riplin. Kjo i kushton shtrenjtë Serbisë, ndërsa realiteti është i dhembshëm.
Normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën do t’i sillte Serbisë më shumë para sesa tri rrjedha jugore (e ka fjalën për gazsjellësin nga Rusia – sqarim ynë)”.
Pyetjes se a do të jetë Serbia e detyruar ta njohë Kosovën, Drashkoviq u përgjigj:
“Nuk është Serbia e detyruar ta njohë. Kral Aleksandar Karagjorgjeviq për të gjallë të vet nuk e ka njohur Rusinë Sovjetike, por nuk e ka mohuar ekzistimin e saj”./Koha.net

Lajme të ngjashme

Back to top button