fbpx

OKB shumë e shqetësuar nga qorrsokaku politik në Maqedoni

Komesariati i lartë për të drejtat e njeriut në OKB sot shprehi shqetësim të thellë për qorrsokakun politik në të cilin gjendet Maqedonia dhe ndikimin e tij ndaj të drejtave të njeriut.

Zëdhënësja e Komesariatit, Sesil Pouli, sot në Gjenevë njoftoi se Komesariati i lartë është “në veçanti i shqetësuar” nga përmbajtja i bisedave të regjistruara, që inkriminojnë përfaqësues të lartë për sërë shkeljesh të të drejtave të njeriut, përfshirë mashtrime zgjedhore, keqpërdorime, kryerje të presionit ndaj gjyqësorit dhe mediumeve si dhe përgjim masovik.

Komesariati i lartë gjithashtu është i shqetësuar për akuzat për spiunim të ngritura ndaj opozitarit, Zoran Zaev.

-Iu bëjmë thirrje autoriteteve që të fillojnë hetim të shpejtë, të pavarur, rrënjësor dhe të paanueshëm për të gjitha pohimet për shkelje ligjore, pa marrë parasysh burimin e tyre dhe të sigurojnë për rezultatet të kenë qasje i tërë opinioni- tha Pouli, duke apeluar autoritetet të kërkojnë përgjegjësi nga të gjithë që hetimi do të tregoj se e kanë shkelur ligjin dhe të drejtat e njeriut.

Pouli theksoi se është me rëndësi në një rreth të këtillë politik jostabil të garantohet pavarësia në gjyqësor, të respektohet sundimi i të së drejtës, liria e shprehjes si dhe standardet ndërkombëtare për gjykim dhe proces gjyqësorë të drejtë.

Komesariati i lartë iu bëri thirrje partive që të përfshihen në dialog esencial për zgjidhjen e krizës politike dhe me këtë të sigurohet respektim i plotë i të drejtave të njeriut.

Lajme të ngjashme

Back to top button