fbpx

Izrael, rezultatet paraprake: Netanyahu-Herzog “kokë më kokë”

Në Izrael janë mbyllur qendrat e votimit, ndërkohë që shifrat e përllogaritura nga sondazhet paraprake, të publikuara nga një prej stacioneve televizive më të rëndësishme izraelite, tregojnë se partia Likud, e udhëhequr nga kryeministri Benjamin Netanyahu, zotëron një kryesim tepër të lehtë ndaj “Unionit Zionist” të Isaac Herzog.

Netanyahu, sipas të dhënave paraprake, do të zotërojë 28 vende, krahasuar me 27 të Herzog, ndërkohë që media të tjera bëjnë të ditur se të dy këta do të jenë me nga 27 vende secili në Parlamentin izraelit.

Gjatë së martës, miliona izraelitë iu drejtuan kutive të votimit për të përcaktuar kryeministrin e ri të vendit të tyre, si dhe përbërjen e Parlamentit të ri. Fletët e votimit ishin përcaktuar me emrat e partive politike, e jo me kandidatë individualë në sistemin e përfaqësimit proporcional të Izraelit, gjë që nënkupton se pritet të formohet një koalicion qeverisës në Knesset-in prej 120 vendesh.

Kryeministri i ri izraelit do të duhet të përballet me kriza ndërkombëtare dhe vendase, përfshi çështje të sigurisë, marrëdhënieve me jashtë, çështjen palestineze dhe shqetësimet në rritje për koston e lartë të jetesës në Izrael.

Mbrëmjen e së martës, Benjamin Netanyahu publikoi një video në Facebook, me anë të së cilës u bënte thirrje mbështetësve të tij të votonin, duke sugjeruar se të majtët po sillnin “një lumë” qytetarësh izraelito-arabë në qendrat e votimit për të votuar kundër partisë së tij Likud.

“Regjimi i së drejtës është në rrezik, votuesit arabë po vijnë me një masivitet të jashtëzakonshëm në këto votime”, tha Netanyahu. “Të majtët po i shfrytëzojnë ata duke përdorur autobusë për të votuar kundër nesh. Kemi nevojë për një zgjim urgjent. Votoni për Likud, në mënyrë që të mbyllim diferencat mes nesh dhe partisë Laburiste”. Arabët përbëjnë rreth 20% të popullsisë izraelite. / Top Channel

Lajme të ngjashme

Back to top button