Maqedoni: Ndryshimet ligjore, nën hijen e kaosit politik

Ndryshimet në ligjin për letërnjoftime dhe banim, në veçanti pjesa që ka të bëjë me humbjen e të drejtës së banimit në Maqedoni për të gjithë personat që për më shumë se tre muaj jetojnë jashtë vendit, kanë shkaktuar reagime të shumta në opinion, por edhe përplasje mes partive në pushtet, pasi zgjidhjet e parapara vlerësohet të jenë kundër-kushtetuese, shkruan REL.

Debate ka nxitur edhe ndryshimi tjetër, me të cilin parashihet dhënie e letërnjoftimeve në çdo qytet të Maqedonisë, pavarësisht adresës së banimit.

Në arsyetimin e qeverisë thuhet se “ndryshimet e tilla bëhen pasi gjatë zbatimit të ligjit janë regjistruar probleme të shumta në përcaktimin e adresave të banimit dhe hezitimit të qytetarëve për të zëvendësuar letërnjoftimet deri në skadimin e afatit të tyre pavarësisht se ku jetojnë”.

Por, partia Bashkimi Demokratik për Integrim, që është pjesë e koalicionit qeverisës, vlerëson se ndryshimet e propozuara janë kundër-kushtetuese, andaj edhe paralajmëron votën kundër gjatë aktit të votimit në një nga seancat e radhës.

“Normat që propozohen janë në kundërshtim me Kushtetutën e Maqedonisë, përkatësisht me nenin 27 të Kushtetutës, sipas të cilit, në paragrafin 1 njihet e drejta dhe liria e qytetarit të Maqedonisë që në mënyrë të ligjshme dhe pa ndërhyrje të mund të zgjedhë vendbanimin e tij, mbi bazë të kushteve ligjore që parasheh ligji aktual për vendbanim”, thotë Talat Xhaferi, kryetar i grupit parlamentar të BDI-së.

“Në paragrafin 2 të nenit 27 të Kushtetutës, po ashtu parashihet e drejta e qytetarëve të Maqedonisë për të lëshuar vendin dhe për t’u kthyer në Maqedoni sa herë që dëshirojnë dhe kur do që dëshirojnë”, shton ai.

Rezerva ndaj ligjeve në fjalë kanë shprehur edhe disa parti maqedonase, që janë pjesë e shumicës parlamentare të VMRO-DPMNE-së.

Pavle Trajanov, deputet nga Lidhja Demokratike dhe ish ministër i Punëve të Brendshme, thotë se ligjet nuk duhet të miratohen në formën e tanishme.

“Dy ligjet, ai për letërnjoftime dhe tjetri për banim duhet të kalojnë në një debat të gjerë në publik, pasi si për njërin, ashtu edhe për tjetrin ka dyshime të shumta, andaj edhe nuk duhet të miratohen në këtë formë. Ka dyshime për mundësinë e dhënies së letërnjoftimeve jashtë zyrave të MPB-së, pastaj për fshirjen me automatizëm nëse dikush qëndron jashtë vendit më shumë se tre muaj”.

“Pra vetëm pas një konsultimi të gjerë, pas ndryshimeve të reja apo pasi të merren parasysh të gjithë mendimet, e në veçanti ato të ekspertëve zgjidhjet ligjore mund të kthehen për miratimin në Kuvend“, thotë Trajanov.

Njohësit e çështjeve kushtetuese dyshojnë se pas ndryshimeve të propozuara fshihen qëllime tjera, në veçanti në pjesën që ka të bëjë me fshirjen e adresave të banimit të qytetarëve, të cilët më shumë se tre muaj nuk do të jenë në Maqedoni.

Mersim Maksuti, profesor i së Drejtës Kushtetuese në Universitetin e Tetovës, thotë se kjo më së shumti do të godasë diasporën shqiptare.

“Brengosëse është tendenca se me këto ndryshime të propozuara, nesër hapet rruga e përjashtimit të kësaj kategorie të madhe të qytetarëve edhe nga e drejta e tyre e votës. Pra nuk do të përfshihen në listat zgjedhore të Maqedonisë”.

“Hapi tjetër, edhe më i keq, është se me këto ndryshime kjo kategori e konsiderueshme e qytetarëve shqiptarë, në regjistrimin e ardhshëm të popullsisë të mos përfshihen si banorë rezidentë të këtij shteti”, thotë Maksuti.

Ai i vlerëson si të dëmshme dhe me qëllime të caktuara edhe ndryshimet në ligjin për letërnjoftime, që sipas tij, lënë dyshime se miratohen për manipulime zgjedhore.

Dilemat e tilla vijnë në kohën kur vendi po përballet me “aferën e përgjimeve”, pasi opozita publikoi disa audio-incizime që pretendohet të jenë bisedat e përgjuara telefonike nga ana e pushtetit.

Në disa nga këto incizime, janë publikuar biseda që flisnin për dhënie letërnjoftimesh të rreme për simpatizantë partiakë, por edhe për maqedonas të ardhur nga jashtë vendit për të votuar për pushtetin aktual./REL

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. Qeverija Gruevski është e vetëdishme se një ditë patjetër të bëhet regjistrimi i popullsisë në R.Maqedonisë shumë mirë e din sa maqedon janë larguar nga maqedonia dhe sa të tjerë kanë marë nështetsi Bulgare.Prandaj me cdo kusht don të aprovon ligjin famëkeq pë dokumentet e identifikimit, letërnjoftimet dhe me draftin ligjor të propozuar afro 50/60 mij shqiptar do ta humbin të drejtën e shtetsisë të maqedonise.

Back to top button