A je takuar ti ndonjëherë?

Atë ditë për herë të parë u takova me diçka që më parë se kisha njohur, sëmundjen. Kisha kohë që ndjeja disa dhimbje në trup, jo dhimbje shpirtërore të cilat i kisha anashkaluar duke menduar se do kalojë, e duke pasur në kokë të mbjellur idenë se një i ri nuk sëmuret asnjëherë. Atë ditë u ula sikur një njeri i shkretë në mesin ku injeksionet, aroma prej mjekësh, të qarat, mendimet për gjëra të ndryshme çalonin, kapërdiheshin nga zemrat e forta dhe derdheshin në lotë nga ata që nuk i bënin ballë asaj që u ishte kumtuar. Unë si për gjynah rrija ulur e fundosur në mendime, episode të jetës që sa vinin shkonin, turbulloheshin e shlyheshin si nëj film i vjetër madje edhe ngjyrat bardhë e zi shfaqeshin.

Papritmas një zë i ashpër thirri emrin tim, një zë që i shpoi mendimet me një të bërtitur. Bef u ngrita  në këmbë dhe u drejtova kah dera. Hyra pa bërë asnjë zhurmë dhe u ula. Filloi të më pyeste se çfarë ndjeja, pse po ndjehesha e sëmurë… në ato çaste mendimet kullonin në kazanin kokë, derdheshin një pas një të ziera mirë për një çështje që as nuk ia kisha pasë idenë se çfarë ishte. Papritmas ndëgjova dy shuplaka të përplaseshin dhe më çrrënjosën nga mendimet. Hyra drejt e në temë duke i treguar çdo gjë, simptomat e para pastaj edhe dhimbjet. U shokua një mjek aq i matur në profesionin e tij kur i tregova se po duroja ende dhimbjet. U shokua aq shumë dhe mbeti i habitur për disa sekonda duke me vështruar. Manteli i bardhë më ngjasonte në atë ngjyrën timen më të mirë, stilolapsi elegant në xhepin e tij më ktheu në ditët studentore, se tashmë nuk vijoja as mësimin, kurse sytë e tij më bënin dritë sinjalizuese të një doktori dhe asaj së tmerrshmes, sëmundjes.

Pasi u kthye edhe ai në temë, më pyeti se si kisha qëndruar e fortë dhe si i kisha rezistuar dhimbjeve. Ndoshta pse nuk jam një person që qahem edhe aq shumë, apo ndoshta unë ndjej vetëm dhembje shpirti e i harroj ato trupore shtova . Ai dukej shumë i shqetësuar për situatën time, kështu mori stilolapsin dhe shkroi një fletë të tërë në një gjuhë doktorësh. Ato momente ndjeja rrahjet e zemrës së nënës dhe shqetsimin e babit, sytë vështronin derën. Më zgjati fletën dhe më tha se ai nuk kishte si të më ndihmonte edhe më shumë, se më vjen keq të të them por sëmundja tashmë ka marrë hov dhe nuk ka shërim, në daç shko dhe gjej kurë ku të duash, në daç prit deri sa vdekja të të vijë. I ashpër ishte që nga fillimi, por mua s’më jepnin as edhe një kuptim fjalët e tij sa më jepte kuptim sëmundja. Mora fletën dhe dola.

Prindërit prisnin me padurim përgjigjet që nuk ua dhashë. Para se të dilja u mora vesh që askush asgjë të mos dinte, kështu të gjithë do jetonin të qetë derisa të më kaplonte vdekja dhe askush nuk do ndjej dhimbje. Filluan të qajne nga gëzimi dhe ikëm për në shtëpi. Kjo ishte dita më e rëndë në jetën time, takimi me sëmundjen dhe gënjeshtra më e madhe. Kështu iknin ditët mbyllur në dhomë në të shumtën e rasteve, e rrallë herë jashtë në atë ambijent ku sapo dilja përqafoja erën, falemderoja Zotin për jetën që kisha, për çdo gjë. Njerëzve do ju shkonte në mendje ajo pyetja se a e vlerson jetën tani më shumë? Nuk është që nuk e kam vlersuar madje e kam ngarkuar me falemderime që i ka ditur vetëm zemra ime, por disi gjërat ndryshuan që në ditën kur unë e sëmundja u takuam. Gjithçka filloi të zbehej, edhe qyteti që e dua shumë, madje as shokët e shoqet nuk më mungonin, e dëshira për ti bërë dhurata ishte shuar.

Tani as mesazhe të mira, të bardha nuk u dërgojë, sëmundja më kishte burgosur. Trupi kishte filluar të dobësohej edhe më shumë, fytyra më ishte zbehur, duart më dridheshin, as poezitë nuk i shkruaja dot. Kështu ikën edhe shumë ditë tjera ku shiu nuk ndalonte në shpirtin tim, e sëmundja sa vinte e bëhej mik e armik. Atë ditë sëmundja më qeshi mua e unë e qava atë, atë ditë vizitova me të vërtetë mjekun për të parë nëse gjithçka ishte në rregull sepse po atë ditë vizitova unë të sëmurin.

Po atë ditë u sëmura në mendime, ajo ditë më bëri ta vizitoj atë mjek dhe ti flas atyre aparaturave të çuditshme, atë ditë vendosa mos me e lënë sëmundjen me u afru sepse atë ditë unë e pashë me sytë e mi se çfarë është më qenë një trup i cili kalbej ditë pas dite. Unë nuk isha sëmurë isha më se në rregull. Ajo ditë, ai njeri e sëmundja më bëri të shkruaj e të hyjë në lëkurë, të eci me ato këpucë, sëmundja më bëri të përjetoj tërë ato dhimbje që nuk më kishin kapluar mua por i ndjeva, të tërat. Atë ditë sëmundjes i qesha sepse nuk më ishte vënë pas ende,  e qava atë që e pashë të shtrirë në krevat duke u lutur për shpëtim.

Lajme të ngjashme

Back to top button