Elhaida Dani: Ja se si u mendua dhe xhirua kënga përfaqësuese në Eurovizion

Këngëtarja Elhaida Dani, e cila do të përfaqësojë Shqipërinë në festivalin e këngës në Eurovizion me këngën “I Am Alive”, ka rrëfyer ditën e sotme se si ka vendosur përzgjedhjen e këngës dhe më tej realizimin e kripit të saj.

Në “Takimi i pasdites”, ajo thotë se gjithçka është realizuar në kohë rekord dhe se ka asistuar vetë për çdo detaj të këngës.

“Kanë qenë tre javë të mbytura me vrapime. Ishte një moment mjaft i sikletshëm kur kënga e parë “ra”, por më vjen mirë që zgjodhëm një këngë që më bën të ndihem vetvetja”,- ka thënë Elhaida.

Ajo ka bërë me dije se e ka dëgjuar për herë të parë këngën “I Am Alive” në Prishtinë para 3 javësh, ditën e ditëlindjes së saj.

“Më vendosën një bazë muzikore. Më pëlqeu. Një fundjavë ndenjëm nga mëngjesi në darkë duke punuar këngën. Kjo ka qenë fundjava ku ka lindur kënga. E kisha me vështirë ti vija syrin një kënge të vetme. Jam e lumtur që me këtë këngë jam vetvetja”,- shton këngëtarja.

Elhaida bën me dije në emision se ishte vetë ajo që bëri çdo gjë. “Zgjodha kompozitorët, punova me tekstin në anglisht, mora pjesë në orkestrim. Ka qenë një përgjegjësi shumë e madhe, pasi nëse diçka nuk do të shkonte mirë, faji do të ishte imi. Këtë herë pata guxim dhe jam e lumtur”,- ka thënë përfaqësuesja shqiptare në Eurovizion.

Sa i takon këngës dhe mesazhit të saj, Elhaida bën me dije se përmbajtja e kësaj kënge është për një vajzë që dashuron, pret, vuan, i është thyer zemra por prapë është e dashuruar dhe në jetë.

“Është një këngë optimiste. Femra të forta, të cilat bëjnë punë jo të zakonshme, police, zjarrfikëse, stjuardesa, të cila dashurojnë, lodhen, mërziten, por asnjë herë nuk qajnë, pasi loti u kthehet pas në fund”- sqaron Elhaida.

Në lidhje me videoklipin, ajo thotë se është xhiruar për tre ditë. “Të martën kemi nisur regjistrimet. Kemi pasur vetëm një ditë kohë për të vendosur për mënyrën e realizimit të klipit, i cili është xhiruar për tre ditë”- shton këngëtarja Dani.

Një detaj përbërës i videoklipit është edhe një lot që këngëtarja nxjerr në fund, për të cilin ka thënë se nuk ishte natyral.

“Ky ishte plani i parë, sepse doli më mirë nga të gjitha. Duhej të buzëqeshje dhe në momentin që loti bie, duhet të mërzitesha. Ishte çështje sekondash…”,- tha ndër të tjera përfaqësuesja shqiptare, Elhaida Dani.

Lajme të ngjashme

Back to top button