Ndërhyrja në Siri, Greqia i frikësohet një vale refugjatësh

Qeveria greke është duke shqyrtuar me kujdes rreziqet dhe mundësitë, që vijnë nga ndërhyrja e afërt e forcave të NATO-s në Siri. 

Ndërsa ndërhyrja ushtarake është në përgatitje e sipër, për qeverinë greke nuk ka dilema që lidhen me orientimin gjeopolitik. Në këtë kontekst, Greqia do të ofrojë të gjitha lehtësirat për forcat e NATO-s, për shkak të pozitës gjeostrategjike, si bazën e Sudas në Kretë dhe Kallamatës në Peloponez, ashtu siç bëri edhe gjatë ndërhyrjes në Libi. 

Por qeveria greke konsideron se trazirat në rajon mund të krijojnë edhe rreziqe. 

Së pari mund të ndërpriten marrëdhëniet tradicionalisht të mira të vendit, me një pjesë të botës arabe dhe myslimane të rajonit. 

Ndikimi më i menjëhershëm, është se ka të ngjarë që Greqia të vuajë valë të re refugjatësh nga Siria, ndërsa është tashmë e mbipopulluar me më shumë se 1 milion emigrantë të paligjshëm. 

Shqetësim konsiderohet edhe furnizimi me energji. 

Ndërkaq, rënia e aksioneve në tregje është treguesi i parë negativ, në një kohë kur qeveria greke është duke u përpjekur të tërheqë investimet dhe të restaurojë ekonominë e vendit. 

Në çdo rast, qeveria e Athinës do vlerësojë pasojat e mundshme dhe do t’i kërkojë BE-së ndihmën e duhur, veçanërisht për sa i përket refugjatëve që mund të hyjnë në vend./ Balkanweb

Lajme të ngjashme

Back to top button