Siria, Obama-Cameron sërish kontakte

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama, dhe kryeministri britanik, David Cameron, kanë diskutuar sërish nëpërmjet telefonit mbi krizën siriane.

Asnjë vendim nuk raportohet të jetë marrë mbi një aksion të mundshëm ushtarak në Siri, sipas raportimeve të “The Guardian”.

“Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe – informon një komunikatë e Shtëpisë së Bardhë, – kundërshtojnë me forcë përdorimin e armëve kimike”.

Ndërkohë, duke thënë se “nuk ka asnjë dyshim tashmë se cili është përgjegjësi për përdorimin rrënqethës të armëve kimike në sulmin e disa ditëve më parë në Siri, ai është vetëm regjimi sirian”, zëvendës/presidenti Joe Biden konfirmoi gjithashtu të martën se SHBA-të, së bashku me aleatët e tyre, janë të gatshëm për të vepruar, transmeton TCH.

“Ata që përdorën armët kimike ndaj njerëzve të pambrojtur, grave dhe fëmijëve, duhet të përballen me pasojat”, deklaroi Biden në një deklaratë para Legjionit Amerikan. Zëvendës/presidenti u bën jehonë kështu deklaratave të mëparshme të bëra nga zyrtarë të tjerë të lartë të SHBA-ve, por edhe të aleatëve më të afërt të amerikanëve.

Liderët perëndimorë po reagojnë me një konsensus të gjerë, pasi shpallën përgjegjës regjimin sirian për sulmin e 21 gushtit, që la të vdekur mbi 1300 persona, pjesa më e madhe e të cilëve ndërruan jetë nga ekspozimi ndaj gazeve toksikë, sipas zyrtarëve të forcave rebele.

Lajme të ngjashme

Back to top button