USHT mori pjesë në Olimpiadën Mbarëkombëtare në Skijim në Korçë të Shqipërisë

Fakulteti i Kulturës Fizike i Universitetit Shtetëror të Tetovës mori pjesë në Garat Universitare Mbarëkombëtare në Skijim,  që u mbajtën me 14 dhe 15 mars 2015, në zonën turistike të Dardhës në Korçë të Republikës së Shqipërisë. Olimpiada mbarëkombëtare e skijimit është organizuar nga Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar me mbështetje teknike të Universitetit Shtetëror të Tetovës, Universitetit të Prishtinës dhe Universitetit të Evropës Juglindore. Në hapjen solemne të edicionit të shtatë të olimpiadës mbarëkombëtare kanë marrë pjesë 6 universitete shqipfolëse, nga Republika e Maqedonisë, nga Republika e Kosovës dhe nga Republika e Shqipërisë.

Edicionin e shtatë të Garave Mbarëkombëtare në Skijim e shpalli të hapur zëvendësministri i Arsimit dhe Sportit i Republikës së Shqipërisë, Rauf Dimraj. Ai tha se, “do kërkoj që Drejtoria e Sportit e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit ta përqendrojë vëmendjen në aktivitetet që janë të vlefshme, që të precizohet dhënia e fondeve atje ku duhet, sepse ky sport ka nevojë për mbështetje më të madhe dhe ne do të bëjmë përpjekje maksimale që të ndihmojmë në këtë drejtim”, tha Rauf Dimraj, zëvendësministër i Arsimit dhe Sportit i Republikës së Shqipërisë.

Kryetari i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH), Viron Bezhani, në fjalën e tij drejtuar të pranishmëve theksoi: “Ne si drejtues të sportit shqiptar duhet të bëjmë shumë më tepër për këtë sport, e aq më tepër kur ky i shërben edhe turizmit, është tepër kënaqësi kur shohësh një organizim të këtillë, por është edhe një mësim për ne”, deklaroi Viron Bezhani, Kryetari i KOKSH.

IMG_2177

Ndërsa, dekani i Fakultetit të Kulturës Fizike të USHT-së,  Prof. dr. Hajri Ziba nënvizoi se “Fakultet i Kulturës Fizike i Universitetit Shtetëror të Tetovës e vlerëson lartë organizimin e kësaj olimpiade, pasi që me këtë aktivitet ky sport, pra skijimi, nga viti në vit po merr gjithnjë përmasa më të mëdha dhe andaj dëshiroj që në emër të Universitetit Shtetëror të Tetovës dhe të Rektorit Prof. dr. Vullnet Ameti të falënderoj Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar për bashkëpunimin, si dhe të gjithë universitetet tjerë pjesëmarrës në këtë edicion”, tha Prof. dr. Hajri Ziba, dekani i Fakultetit të Kulturës Fizike të USHT-së.

IMG_2198

Olimpiada u zhvillua dy ditë radhazi, në zonën turistike të Dardhës në Korçë të Shqipërisë, ndërsa morën pjesë gjithsej 34 garues, të ndarë në dy kategori; atë për meshkuj, ku garuan gjithsej 23 garues dhe kategorinë e femrave, ku garuan 11 garuese, në disiplinat alpike, sllallom i madh me nga dy lëshime. Në kategorinë e djemve USHT-ja morri pjesë me katër studentë. Vendin e parë në këtë olimpiadë mbarëkombëtare e fitoi studenti i USHT-së, Dardan Dehari, ndërsa vendi i dytë i takoi studentit të Universitetit të Prishtinës, Dardan Pupovci. Poashtu edhe studentët tjerë të USHT-së, pjesëmarrës në garë, në tabelën e klasifikimeve u radhitën në pozita mjaftë të mira. Vendi i katër i takoi studentit Amir Asipi, kurse vendin e pestë e zuri Valton Kamberi dhe Jusuf Abduli në pozitën e tetë, që të tre studentë të USHT-së.

IMG_2253

Në kategorinë e femrave, USHT u përfaqësua me dy studente, Arbnora Dehari dhe Xheneta Asipi. Vendin e parë e fitoi studentja e Universitetit të Sporteve i Tiranës, Paola Tashi, ndërsa vendin e dytë e zuri studentja e USHT-së, Arbnora Dehari, kurse në vendin e tretë u radhit studentja Vlora Jashari nga Universiteti i Prishtinës. Poashtu edhe në plasmanin ekipor vendin e parë e fitoi Universiteti Shtetëror i Tetovës. Për të gjithë pjesëmarrësit në këtë olimpiadë organizatorët ndanë diploma dhe medalje, ndërsa për fituesit e vendeve të para u ndanë edhe kupa. Vlen të theksohet se ekipi i studentëve të Universitetit Shtetëror të Tetovës është udhëhequr nga dekani i Fakultetit të Kulturës Fizike, Prof. dr. Hajri Ziba, prodekani Doc. dr.Haki Ismaili dhe Mr. sc. Ibrahim Dehari.

Lajme të ngjashme

Back to top button