Simeone kërkon përkrahje nga tifozët

“Los Colchoneros” duhet të kthejnë disavantazhin e një goli të pësuar në “Bay Arena” për të prerë biletën e çerekfinales së UEFA Champions League.
“Shpresoj që “Vincente Calderon” të mos ndalojë për asnjë minutë”. Kjo është kërkesa që Diego Simeone ka për tifozët e Atleticos së Madridit në ndeshjen më të rëndësishme të sezonit ku “Los Colchoneros” duhet të kthejnë disavantazhin e një goli të pësuar në “Bay Arena” për të prerë biletën e çerekfinales së UEFA Champions League.

“Bayer Leverkusen vertikalizon shumë dhe është një skuadër që luan futboll të shpejtë. Duhet të bllokojmë mesfushorët e tyre, gjë të cilën nuk e bëmë në Gjermani. Duhet ta fitojmë këtë ndeshje. Lojtarët e mi duhet të rikuperojnë sa më shumë topa dhe nëse nuk e bëjmë një gjë të tillë nuk do të kemi mundësi për të fituar. Mandzukic apo Torres? Nuk e di, do ta vendos përpara ndeshjes. Është e vërtetë që kemi disa ndeshje që nuk fitojmë prandaj mënyra më e mirë për të dalë nga kjo situatë është që të bëjmë një ndeshje bindëse për të arritur te suksesi”.
Në konferencën e zakonshme për shtyp u prezantua edhe trajneri i “aspirinave”, Roger Schmidt, i cili e pranoi se atmosfera e zjarrtë në “Vincente Calderon” do t’ia vështirësojë punën skuadrës së tij. “Pavarësisht fitores së dy javëve më parë nuk kemi arritur ende asgjë. Atletico mbetet favorite por ne kemi më shumë besim se mund t’ia dalim. Gjithsesi, duhet të jemi shumë të kujdesshëm ndaj kundërsulmit të tyre”, u shpreh Schmidt.

Lajme të ngjashme

Back to top button