Merkel fton Tsipras në Berlin, për t’i dhënë fund retorikave

Në një moment kur retorikat midis Athinës dhe Berlinit kanë arritur kulmin dhe Greqia ndodhet në pikën më delikate të saj përsa i përket likuiditetit bankar, kancelarja gjermane Angela Merkel, përmes një telefonate të zhvilluar pasditen e së hënës ka ftuar kryeministrin grek Aleksis Tsipras në Berlin më 23 mars, ftesë të cilës ai i është përgjigjur pozitivisht.

Kjo lëvizje interpretohet si një iniciativë e zonjës Merkel për të ulur tonet e larta të krijuara midis dy vendeve, për të shuar deklaratat e ndërsjella të vazhdueshme për borxhet e njërës palë apo dëmshpërblimet e palës tjetër dhe sidomos për dyshen ministrore Shcauable-Varoufakis, komentet e të cilëve mbushën faqet e gazetave për një javë të tërë, duke shkaktuar edhe nota proteste midis dy qeverive.

Ky zhvillim vjen gjithashtu në një çast kur negociatat midis grupeve teknike të huadhënësve dhe Athinës ndodhen në udhëkryq dhe partnerët e Greqisë kërkojnë masa të reja në mënyrë që të mbushet boshllëku financiar prej 2 miliardë eurosh i krijuar në vitin 2014. Ndërkohë, Komisioni Europian paralajmëron se gjendja e ekonomisë greke është në një pikë kritike.

“Gjendja është serioze dhe prioriteti i kësaj jave është të vazhdojmë të punojmë për angazhimet e premtimeve të Eurogrupit më 20 shkurt. Diskutimet teknike vazhdojnë, edhe bisedimet në Athinë dhe KE vlerëson se tashmë është ora e punës dhe jo e deklaratave. Siç deklaroi edhe presidenti Juncker, është koha për unitet, jo për përçarje”, deklaroi Margaritis Schinas, zëdhënës i KE.

Ka disa ditë që mediat e huaja dhe sidomos ato gjermane publikojnë komente jo të mira për ministrin grek të Financave, Janis Varoufakis dhe mënyrën e sjelljes së tij, duke iu referuar edhe disa deklaratave të bëra nga ai vite më parë, ndërsa disa ministra grekë besojnë se ka qarqë të caktuara brenda BE që kërkojnë të rrëzojnë me çdo kusht qeverinë Tsipras.

Në prag të samitit të lartë të BE ditën e enjte, Tsipras do të kërkojë të kontaktojë me të gjithë liderët e shteteve anëtare, midis tyre dhe me kancelaren gjermane, në mënyrë që pas përfundimit të bisedimeve në këtë samit të ketë një zgjidhje të plotë për çështjen greke. / Top Channel

Lajme të ngjashme

Back to top button