Tre të vdekur në rrugën Kërçovë-Manastir

Tre veta humbën jetën në aksidentin e rëndë të komunikacionit që të shtunën në orën 13 ngjau në rrugën regjionale Kërçovë-Demir Hisar, në afërsi të fshatit Belicë. Në vend ngjarje vdiqën Rexhep M. (58), gruaja e tij Sanija M. (47) dhe i biri i tyre, Rejhan M. (25) të gjithë nga fshati Lisiçan i Kërçovës. Ata ndodheshin në automobilin Volksvagen Polo me targa të Kërçovës.

Gjatë aksidentit me plagë të rënda dolën edhe F. I (31) nga Prilepi, i cili pas ndihmës së dhënë mjekësore në spitalin e Kërçovës, u dërgua në spitalin e përgjithshëm në Prilep. Me plagë më të lehta kaloi J. K (30) nga Prilepi, e cila pas ndihmës në spitalin e Kërçovës është lëshuar në kurim shtëpiak. Ajo, bashkë me F. I. ndodheshin në automobilin Mercedes me targa të Prilepit.

Aksidenti ndodhi gjatë tejkalimit të veturës Mercedes e drejtuar nga F. I, e cila lëvizte nga drejtimi i Manastirit dhe në vendin kritik në afërsi të fshatit Belicë ngjau ndeshje me pjesën e parë të majtë të veturës Mercedes me pjesën e parme të veturës Volksvagen Polo. Nga forca e goditjes vetura Volksvagen rrëshqet nga rruga në anën e djathtë dhe është përmbysur në kanal. Në vendngjarje është kryer ekspertiza  nga prokurori i Gjykatës Themelore të Kërçovës si dhe ekipe policore nga stacioni policor për siguri të komunikacionit në Kërçovë.

Lajme të ngjashme

Back to top button