E diela bombastike

Ndonëse ka ditë që janë të mbushura me ngjarje që meritojnë koment, aq sa mjaftojnë për një shkrim javor, kjo rrallë ndodh për një ditë jo-pune siç ishte dita e sotme e diel në Maqedoni. Ditë kjo që me dendësinë e ngjarjeve në stilin e disa emisioneve të famshme si e shtuna magjike ose e diela festive do meritonte të quhej “e diela bombastike” ose edhe “e diela protestive”.

Të fillojmë me radhë prej ngjarjes së parë e ajo ishte “bomba” e dhjetë e opozitës maqedonase në ciklin e shpalosjes së të bëmave dhe përgjimeve të vet pozitës. Një bombë kjo që u publikua shpejt dhe pa shumë paralajmërim dhe që ishte e dedikuar për të shpalosë shëtitjen dhe mundin e kryeministrit aktual në kërkim të lokacioneve atraktive ëpr ndërtim, por edhe të gjetjes së mënyrave të ndryshimit të planeve urbanistike për ato lokacione ndërtimi. Dukej si e qëllimshme pasi u paralajmërua dhe u mbajt vetëm gjysmë ore para mbledhimit që kishte caktuar më herët për në mesditë lideri i pozitës, Gruevski, si duket me qëllim të dëshmisë së normalitetit, por edhe të përkrahjes popullore.

Ashtu ky mbledhim që ndodhi në Shkup dhe në të cilën erdhën shumë autobusë me njerëz nga jashtë qytetit, për të mbushur sallën, u mbajt fjalim i gjatë i kryeministrit ku u thanë gjëra të shumta dhe disa që duket se do jenë relevante për zhvillimin e ngjarjeve të mëtejshme politike. Si mohimi i mundësisë së mbajtjes së zgjedhjeve dhe pjesëmarrjes të partisë DPMNE në ndonjë qeveri kalimtare. Por, edhe këto mbetën ndër hije të zbehtësisë që u vërejt në fytyrat e shumë të pranishmëve e që nuk fshihej dot as edhe me sloganin e organizatorit: veprat tona shihen, lufta jonë vazhdon. Bile shkaku i ditës dhe “bombës” në te slogani mund të kuptohej edhe si veprat e tyre më shumë po i shohin në “bombat e opozitës” e se luftë në kohë paqeje përmend vetëm ai që ka ndonjë zor dhe brengë; shumë të madhe matur sipas zbehtësisë së fytyrave në atë sallë sot.

Mandej prej ngjarjeve të sodit që meritojnë vëmendje ishte edhe një iniciativë qytetare e titulluar me “Avni Rustemi” e ku disa shqiptarë paralajmëruan edhe protesta para selisë së LSDM-së në mënyrë që të ketë “përfaqësim të drejtë” dhe proporcional për të bëmat dhe të pa-bëmat edhe të partive shqiptare.

Nuk ka informatë të saktë në opinion se kur mund të mbahen ato protesta, por paralajmërimi i sotëm ishte i rëndësishëm sepse i nxori shqiptarët nga pozicioni i vëzhguesit pasiv në një kësi ditë të dendur me zhvillime dhe ngjarje politike.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

 

Lajme të ngjashme

Back to top button