Zhdukja si diktator

Presidenti rus, Vladimir Putin, është zhdukur. Jo në kuptimin e drejtpërdrejtë të fjalës, por ai nuk është parë në publik për një javë të tërë dhe të dhënat në lidhje me agjendën e tij, që janë publikuar në faqen zyrtare në internet të presidencës, duken të dyshimta. Kremlini mohon që ai të jetë sëmurë, ndërkohë që blogosfera ruse gëlon nga spekulimet.

Është ende e pamundur për një të jashtëm që të thotë se ku është Putini, apo çfarë po përpiqet të bëjë. Por nuk është shumë herët për të nxjerrë konkluzione nga ky episod. Ai ofron prova të mjaftueshme se Rusia është shndërruar tashmë në një diktaturë të vërtetë. Asnjë lloj shteti tjetër nuk do të ishte kaq i padepërtueshëm, ndërkohë që askund tjetër qytetarët nuk do të ishin kaq të shqetësuar me udhëheqësin e tyre.

Paraardhësi i Putinit, Boris Jelsin, ishte i prirë për t’u “zhdukur”: Atij i pëlqente të pinte dhe kishte një zemër të dobët. Shëndeti i Jelsinit u bë problem veçanërisht serioz gjatë garës për zgjedhjet presidenciale të vitit 1996, në të cilën ai konkurroi përballë një kandidati të fortë komunist. Jo shumë kohë para votimit, ai pësoi një atak në zemër dhe ndihmësit e tij ua fshehën votuesve këtë gjë.

Pasi fitoi, spin doctor-ët e Kremlinit u bënë gjithmonë e më krijues në përgjigjen e pyetjeve për shëndetin e presidentit. Në 19 gusht 1996, zëdhënësi i presidencës, Sergei Yastrzhembsky shkaktoi madje të qeshura kur, në përgjigje të një pyetje të tillë, tha se dorështrëngimi i presidentit ishte ende i fortë.

Një gazetar radiofonik i Ekho Moskvy e përmendi sot këtë episod në një intervistë me zëdhënësin e Putinit, Dmitri Peskov, duke e pyetur për dorështrëngimin e presidentit. “Ai thyen duar”, u përgjigj me sarkazëm Peskovi.

Më parë, Peskovit nuk i është dashur të japë llogari për mungesat e papritura të shefit të tij. E kundërta madje është e vërtetë. Putini ka patur prirjen të demonstrojë, edhe pa patur nevojë, forcën e dorështrëngimeve të tij, duke u munduar shumë që të shfaqet gjithmonë në formë dhe energjik. Ai nuk është zhdukur asnjëherë nga syri i publikut për më shumë se një ditë që nga vitet e parë të drejtimit 15-vjeçar, atëherë kur nuk u shfaq për pak kohë, pasi nëndetësja Kursk u fundos në vitin 2000 apo kur terroristët morën peng qindra njerëz në teatrin e Moskës në vitin 2002. Të dy këta incidente ishin kriza të mëdha për Putinin, por që atëherë, ai i ka përballuar të tjerë, të të njëjtës madhësi, pa iu larguar syrit të publikut.

Megjithatë, këtë muaj ai është “zhdukur” sërish. Herën e fundit është parë një javë më parë, në 5 mars, kur u takua me Kryeministrin italian Matteo Renzi në Moskë. Që atëherë, Putini ka anuluar takimet me presidentët e Bjellorusisë dhe Kazakistanit, firmosjen e marrëveshjes me Osetinë e Jugut dhe shfaqjen në një takim të drejtuesve të lartë të FSB, shërbimi i fshehtë rus.

E përditshmja RSB kreu nëj investigim në lidhje me agjendën e përditshme të Putinit dhe bëri të ditur se kishte vërejtur mospërputhje në faqen zyrtare, kremlin.ru. Sipas gazetës, takimi i Putinit me guvernatorin e rajonit veriperëndimor të Karelias, që në faqen zyrtare thuhej se kishte ndodhur në 11 mars, në fakt kishte ndodhur një javë më herët. Në të vërtetë, një faqe interneti kareliane raportonte për të në datën 11 mars.

Dy ditë më parë, sipas kremlin.ru, Putini kish folur në telefon me presidentin armen, Serzh Sargsyan. Informacioni në faqen zyrtare të Sargsyanit ishte identik. Kremlini thotë se ishte i vetmi aktivitet në 12 mars ku ka marrë pjesë Putini – në fat një agjentë shumë e lehtë për udhëheqësin shumë energjetik rus. Për shembull, të hënën në 2 mars, faqja zyrtare raportonte dy takime pune me zyrtarë rusë dhe një bisedë telefonike me udhëheqësit e Gjermanisë, Francës dhe Ukrainës.

Duke shkaktuar një farë shqetësimi, dhe ndryshe nga spin doctor-ët e Jelsinit, të cilët ishin të gatshëm të pranonin se presidenti nuk ishte mirë me shëndet por shtonin se sëmundja nuk ishte serioze, Peskovi ka mohuar vendosmërisht se ka diçka që nuk shkon me shëndetin e Putinit. Kjo gjë ka shkaktuar shpërthimin e teorive të komplotit. Andrei Illarionov, një ish ndihmës i Putinit, ka thënë në një postim në LiveJournal se presidenti mund të jetë rrëzuar nga ndjekësit e vijës së ashpër, duke përfshirë edhe shefin e kabinetit të tij, Sergei Ivanov, në një grusht të pallatit.

Konstantin Remchukov, gazetar dhe botues me lidhje në nivelet e lartëtë Kremlinit, ka shkruajtur se miku i Putinit, Igor Sechin, i cili drejton kompaninë më të madhe ruse të naftës, shtetëroren Rosneft, pritet të humbasë vendin e punës, gjë që nënkupton se, ose Putini po bën një shkundje të fortë në rrethin e tij të brendshëm, ose që ai po largohet vetë. Ka patur mijëra postime që thonë se Putini edhe mund të ketë vdekur – dhe duke qenë se bëhet fjalë për Rusinë, edhe përpjekje të panumërta për të bërë humor të zi.

Bursa ruse, rubla dhe bonot ruse janë rritur të gjitha, a thua mungesa e Putinit nga radarët është lajm i mirë për ekonominë. Në Ukrainë, të shumtë janë ata që i shohin lajmet duke mbajtur frymën, duke uruar që udhëheqësi i urryer rus do të zhduket një herë e mirë. “Me sa duket, dikush tjetër e kontrollon situatën në Rusi tani”, shkruante Ivan Yakovina në faqen ukrainase të internetit, Nv.ua.

Shkurt, Putini ia ka dalë t’i fusë rusët në një gjendje obsesioni, thjeshtë duke u hequr sysh. Rusët, duke përfshirë kundërshtarët e Putinit, janë po aq të shqetësuar për mungesën e tij njëjavore, sa do të ishin edhe fëmijët nëse babai i tyre do të ishte nisur për diku, dhe nuk do të ishte kthyer pas disa ditësh. Ata e shohin faqen zyrtare të Kremlinit me një përziesrje mosbesimi, mirëkuptimi dhe shprese, duke pyetur se si, apo nëse, piramida e pjerrët që Putini ka ndërtuar nëpër vite, do të rrinte në këmbë pa atë vetë në majë të saj.

Nëse kjo nuk është një shenjë se Putini është bërë një diktator në mendjen kolektive të kombit, atëherë çfarë është? Në fund të fundit, udhëheqësi i një kombi demokratik nuk mund të mungojë: Agjenda e presidentit të SHBA, Barack Obama postohet gjithmonë në faqen zyrtare të tij, dhe faqja e internetit e Kancelares Angela Merkel ka një prurje konstante informacionesh në lidhje me daljet e saj publike. Zëdhënësit e tyre nuk përpiqen ta fshehin, kur këta sëmuren papritur apo kur u “skuqet fyti”. Vetëm një diktator e mban të fshehtë edhe kur e zë gripi – apo kur mungon një javë në takime, gjë që Peskov lë të kuptohet se ka ndodhur gjatë gjithë kësaj kohe.

Është koha ndoshta të heqim dorë nga eufemizmat si “sundimtar autoritar” apo “i forti”. Putini është një diktator që e udhëheq Rusinë përmes frikës dhe forcës. Cilatdo qofshin arsyet e mungesës së tij, Rusia nuk mund të funksionojë pa Putinin në vendin e shoferit. Sepse menjëherë shfaqen frika joracionale. Ashtu si edhe shpresa joracionale. /Bloomberg/Bota.al/

Lajme të ngjashme

Back to top button