Përfundon ballafaqimi i dytë i Tom Doshit me Durim Bamin

Ballafaqimi i dytë mes deputetit Tom Doshi dhe Durim Bamit në Prokurorinë e Krimeve të Rënda ka përfunduar pas më shumë se 8 orë.

Doshi e Bami u paraqitën në prokurori në orën 09:00 të së shtunës dhe dolën prej andej njëri pas tjetrit rreth orës 17:30.

Në dalje, deputeti Tom Doshi nuk komentoi mbi ballafaqimin, ndërkohë që Durim Bami është shoqëruar nën masa të forta sigurie për në qelinë e tij, ku mbahet nën masën e sigurisë arrest me burg me akuzën e “tentativës së vrasjes”.

Ai që foli në emër të Durim Bamit ishte avokati i tij. Edhe ky i fundit i ka qendruar besnik prokurorëve që nuk tolerojnë rrjedhjen e informacionit për këtë çështje mjaft të ndjeshme.

Mësohet se grupi i hetimit ka ulur Bamin dhe Doshin përballë njëri-tjetrit, ashtu si dhe një ditë më parë, ku jo vetëm ka patur pyetje-përgjigje, por Doshi dhe Bami janë lënë edhe vetëm për disa orë.

Prokurorët mbajtën sekret dëshmitë e tyre ditën e premte, ndërsa burime jozyrtare thanë se Bami i qëndroi versionit të tij dhënë një ditë pas ndalimit, se gjithçka ishte e sajuar dhe e kërkuar nga Tom Doshi.

Nga ana e tij, deputeti i Shkodrës këmbënguli se ndaj tij ka patur një tentativë për ta eliminuar fizikisht, jo vetëm atë, por edhe deputetin demokrat Mhill Fufi, referuar edhe rrëfimit tek ai vetë i 36-vjeçarit, se ishte porositiur për t’i vrarë.

Të gjitha informacionet që mund të sigurohen në këtë fazë të hetimit janë në rrugë jozyrtare. Kështu, po në rrugë jozyrtare mësohet se do të ketë një tjetër ballafaqim në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, jo mes Durim Bamit dhe Tom Doshit, por mes Bamit dhe Fatjon Skënderajt, i njohur si “Toni” dhe i përmendur nga Bami në videon e publikuar nga deputeti Doshi.

Skënderaj, që Bami në video thotë se ka qenë personi që i ka dhënë ‘porosinë’ e eleminimit fizik të Doshit dhe Mhill Fufit, u rikthye disa ditë më parë nga Gjermania për të dhënë dëshminë e tij para prokurorëve./ Top Channel

Lajme të ngjashme

Back to top button