Integrimet: Imazhi që është krijuar për Maqedoninë: ‘gaz i botës’

Holanda i tërheq vërejtjen kryeministrit Nikolla Gruevski se në Samitin  e ardhshëm të NATO-s në Poloni do të duhet të rishqyrtohet ftesa për anëtarësim në këtë aleancë për Maqedoninë nëse vendi largohet nga proceset demokratike. Njohësit e politikave të jashtme nuk habiten që një gjë e tillë do të ndodhë duke pasur parasysh gjendjen momentale të Maqedonisë.

Profesori universitar Abdulla Azizi thotë për Portalb se Maqedonia deri më tani kishte pengesë anëtarësimin në NATO vetëm për shkak të çështjes së emrit, por tani gjërat kanë ndryshuar, janë shtuar edhe shkelje dhe probleme të tjera që pengojnë një ecuri të tillë.

“Zgjidha e çështjes së emrit dhe anëtarësimi në BE dhe NATO janë prioritet i vetëm dhe duhet kushtuar shumë vëmendje dhe të përkushtohem në maksimum që të arrimë këtë. Është thënë disa herë që Maqedonia menjëherë pas zgjidhjes së emrit do të anëtarësohet në NATO. Por në Maqedoni tani nuk ekziston më vetëm problemi i emrit, tani kemi implikime edhe në demokraci, kontroll mbi media dhe mendoj se çështja e emrit mund të zgjidh edhe këto probleme. Nëse NATO do të pranojë Maqedoninë do të kërkon raporte të mirëfillta. Ne që nga viti 1993 merremi me çështjen e emrit dhe këtë maqedonasit e shohin si cenim të nacionalitetit dhe entitetit, por ndryshimi i emrit nuk do të ndikojë aspak në atë aspekt”, tha për Portalb, Azizi.

Ai shtoi se në Maqedoni nuk jetojnë vetëm maqedonasit dhe se shteti është multietnik dhe duhet të pyeten edhe të tjerët lidhur me çështjen e emrit.

“Në Maqedoni nuk jetojnë vetëm maqedonasit por edhe popuj të tjerë. Por si duket maqedonasit e zënë shtetin vetëm të vetin, madje vetëm të VMRO-së, këtë e dëshmon edhe vetë stema e Maqedonisë e cila simbolizon vetëm VMRO-në. Shumë anketa kanë dëshmuar se populli është më shumë për eurointegrime dhe ajo më së shumti shqiptarët, por këtu fajësoj edhe partitë politike shqiptare të cilat çështjen e emrit e konsiderojnë si problem vetëm të maqedonasve dhe këtu gabohen shumë, se shqiptarët janë ata që janë më së shumti pro eurointegrimeve dhe anëtarësimit në NATO. Ne po bëjmë hala shumë mbrapa dhe sidomos kohën e fundit kemi marrë shumë kritika si dhe të gjitha raportet ishin negative dhe u dëshmua me përgjimet se reformat ishin vetëm në letër dhe asnjë nuk ishte zbatuar. U dëshmua se nuk kemi  zgjedhje të lira, s’kemi media të lira, s’kemi gjykata të pavarura. Politika e sotme dëshmon se nuk punohet aspak për tu përmirësuar dhe Qeveria po sillet si nxënëse e keqe të cilës i përsëriten çdoherë të njëjtat gjëra dhe prapë nuk dëgjon dhe nuk i zbaton”, tha Azizi.

Sipas tij, imazhi që është krijuar për Maqedoninë është gaz i botës, pasi që nuk mund të flasim për një shtet demokratik si dhe për ndarje të pushteteve dhe kjo do të thotë se e ardhmja nuk është e sigurt, që mund të refuzohemi edhe nga NATO edhe nga BE.

Ish ambasadori i Maqedonisë në NATO, Nano Ruzhin thotë për Portalb se Maqedonia në vitin 2005 ishte shumë mirë në sytë e ndërkombëtarëve si dhe NATOS, ndërkaq viteve të fundit ajo bëri shumë regres në këtë aspekt.

“Maqedonia që nga viti 1999 së bashku me tetë shtete tjera fitoi statusin e vendit aspirant për anëtarësim  në NATO, dhe kjo nënkupton që të plotësosh më shumë  detyrime në sistemin politik dhe zhvillimin e demokracisë ekonomisë dhe zhvillimin në aspektin social, juridik etj. Në vitin 2005 Maqedonia ishte lider i reformave në Ballkanin perëndimor. Në ndërkohë të gjitha shtetet tjera më veç se fituan anëtarësimin në NATO, Maqedonia për shkak të emrit me Greqinë në vitin 2008 nuk fitoi anëtarësimin por mori lëvdata për reformat e suksesshme. U tha se Maqedonia do të fitojë anëtarësimin në momentin kur gjendet një zgjidhje e përbashkët me Greqinë për çështjen e emrit dhe për këtë angazhohen takime të shumta për këtë çështje. Në ndërkohë problemet me shtangimin e demokracisë, politizimin e gjykatave, kontrollin e mediumeve si dhe shumë elemente të tjera kanë sjellë Maqedoninë në një pozitë shumë të palakmueshme. Ambasadorja e Holandës në NATO në një darkë formale theksoi se NATO mendon që t’i merret statusi i Maqedonisë, e cila është me njërën këmbë në NATO”, tha për Portalb, Ruzhin.

Ai shtoi se Maqedonia me skandalin e përgjimeve ka shkelur rëndë Konventën e Vjenës dhe kjo vë në dyshim kapacitetin e qeverisë që t’i ruajnë informacionet e klasifikuara të pranuara nga NATO.

“Kjo do të thotë se leksionet të cilat na i kanë dhënë do i përsërisin. Këto detyrime si dhe ato për emrin do e sjellin Maqedoninë larg standardeve të Serbisë dhe Malit të Zi. Çështja e përgjimeve është problem tjetër, dhe në rast se dëshmohen se janë bërë përgjime masive dhe nëse dëshmohen se janë përgjuar edhe ambasadorë të Aleancës në Shkup, që është shkelje e Konventës së Vjenës për marrëdhënie diplomatike që nga viti 1961. Edhe përkundër asaj që materiali doli në publik, NATO do të dyshojë në kapacitetin e qeverisë maqedonase që t’i ruajnë informacionet e klasifikuara të pranuara nga NATO. Mjafton një nga funksionarët të bisedojë për përmbajtjen dhe kështu do të dalin fshehtësitë. Kjo është një goditje e madhe për kredibilitetin e MPB-së  dhe vetë institucioneve shtetërore.  Deklarata e Gruevskit se bëhet fjalë për përgjime nga të huajt është një arsyetim mjaft joserioz i qeverisë aktuale dhe ajo shërben për gafë ndaj Gruevskin nga ana e ambasadorëve të NATO-s”, tha Ruzhin.

Sipas tij, sot të gjithë e dinë se gjëra të tilla në një shtet janë prezent vetëm kur ka diktaturë dhe regjim despotik, si do që të jetë qeveria e Gruevskit ka bërë regres të Maqedonisë ndaj rrugës drejt NATO-s, si dhe tërë sistemin politik të vendit. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button