Pensionistët shqiptarë: Qeveria na diskriminon!

Pensionistët shqiptarë ankohen se nuk bëhet përzgjedhja e tyre në projektin qeveritar për të shkuar gjashtë ditë në ndonjë nga banjat kuruese të Maqedonisë.

Ata thonë që kriteret i vendojnë shumë të larta dhe për këtë arsye zgjedhën vetëm maqedonasit.

“Ne ndoshta nuk kemi punuar aq gjatë sa të kualifikohemi, mirëpo edhe ne jemi pensionistë edhe neve duhet të na jepet mundësia që të shkojmë falas në banjat kuruese”, tha Z.Sh., pensionist.

“Kam aplikuar disa herë dhe me shpresë që do të dale emri im ne listë por kur kam shikuar listën nuk jam askund. Kam pyetur pse nuk është emri im, më kanë thënë se ose si kam dokumentet në rregull ose nuk i plotësoj kushtet”, tha T.S., pensionist.

Ata madje thonë se numri i shqiptarëve të cilët përzgjidhen për këtë projekt është shumë i vogël në krahasim me maqedonasit.

Lista e Pensionisteve
Një pjesë nga lista e pensionisteve

Nga Ministria për Punë dhe Politikë Sociale (MPPS), thonë se prioritet në këtë projekt kanë xehetarët pasi që puna e tyre ka qenë tërë kohën nën tokë.

“Prioritet për këtë projekt i kemi dhënë xehetarëve të pensionuar, pasi që ata kanë punuar tërë kohën nën tokë dhe shkuarja në banjë shëruese do t’i ndihmojë shumë ata. Sa i përket rangimit, ne vlerësuam pikë deri në 50 pikë të fitohen nga sasia e pensionit, deri në 30 pikë për shfrytëzimin e pensionit dhe stazhit pensional, 10 pikë për shfrytëzuesit që kanë qenë xehtarë dhe 10 pikë për pensionistët që kanë mbi 80 për qind invaliditet”, tha Marjan Gijovski, zëdhënës i MPPS-së.

Sipas listës së MPPS-së, gjatë vitit 2015 gjithsej 5231 pensionist do të shkojnë falas në banjat e Maqedonisë, ku prej tyre vetëm 677 janë shqiptarë.

Gijovski nuk komentoi për numrin e vogël të shqiptarëve pjesëmarrës në këtë projekt, mirëpo tha se për këtë projekt janë ndarë 35 milion denarë si dhe ata që kanë shfrytëzuar një herë këtë projekt, nuk kanë të drejtë të jenë më aplikues të tij. /Portalb

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. Epo, koha eshte qe te flitet mè per kesi raste te diskriminimit ne cfardo lloj fushe te jetès!? Koha eshte qe te detektohen anomalit dhe shkeljet e ligjeve dhe respektimi i tyre i njèanshèm dhe standardet e dyfishta qe i perdor kjo qeveri ….

Back to top button