Ish lideri i LSDM, Cërvenkovski ka bërë pazare me Mijallkovin, kundër kandidatëve të tij

Sipas transkriptave të botuara nga opozita maqdonase nga skandali i përgjimeve, edhe Branko Cërvenkovski ka bërë pazare parazgjedhore me Sasho Mijallkovin në zgjedhjet e fundit lokale, njofton Alsat-M. Një pjesë e bisedës mes Mijallkovit dhe Llatasit që nuk u publikua në konferencën e sotme të Zhernovskit, por që gazetarët e morën në CD, dëshmon se Branko Cërvenkovski i ka ofruar Mijallkovit të votojë kundër Andrej Zhernovskit në Qendër, në këmbim të votave të VMRO-së për Andrej Petrovin në Karposh. Sipas Mijallkovit, me këtë marrëveshje Cërvenkovski ka dashur të vret dy miza me një goditje, ta eliminojë Stevço Jakimovskin i cili e tradhtoi në prag të zgjedhjeve lokale, dhe të pengojë faktorizimin e Zhernovskit.

Mijallkov: Unë mendoj se ata mund të grinden mes vete. A e di çfarë? Branko më ofroi që ta tradhtojmë! Branko thoshte të votoni ju kundër Stevços, ndërsa ne të votojmë kundër Zhernovskit. Ai dëshironte ta lëshonte në ujë, e di këtë?

Llatas: Po është logjike që ai ta merr Karposhin. Për atë është më i interesuar.

Mijallkov: Dhe me një shuplakë të vrasë dy miza, ta vrasë Stevçon dhe Andrejin. Sepse Andreji e di tani, vetëm Andreji fitoi, ky asgjë nuk fitoi.

Lajme të ngjashme

Back to top button