Çka gabon Zaev kundrejt shqiptarëve?

Janë disa momente të rëndësishme përsa ju përket bombave të djeshme, dhe atyre të mëparshmëve parë nga perspektiva jonë si shqiptarë. Momenti i parë ka të bëjë me atë që e kam cekur edhe mëpara, që lufta e SDSM është vetëm me Gruevskin dhe bandën e tij.

Materialet të cilat i premtoi Zaevi tek Shqip në TopChannel dhe që duhej të kishin të bënin me partitë shqiptare në Maqedoni, krahasuar me atë që nxorrën dje në Sallën Univerzale, ishin dëshpëruese. Sepse na zhgënjeu, na dha ca lodra për fëmijë që u ngjasonin atyre lodrave të vogla brenda atyre vezëve me çokollate nga Kinder. Pritja shumë më shumë nga ç’u dha, pritja që shumica e inçizimeve dje të kishin të bënin me BDI/PDSH. Vetë fakti që vendosi që daljen e dytë televizive që nga shpallja e bombave ta bëjë në televizionin më të madh nacional shqiptar, më tregonte që përgatitet terreni për një bombë me të vërtetë të fuqishme, megatonëshe. Një bombë e cila do të shkundte të dy partitë parlamentare shqiptare në Maqedoni nga themeli. Një bombë e cila si zinxhir, do të kishte reaksione tjera tek shqiptarët e Maqedonisë.

Këtu dua të dal tek momenti i dytë: që VMRO mund të pranojë kërkesat e opozitës dhe të ulet në tavolinën e bisedimeve vetëm nëse ka një reagim më të fuqishëm nga brenda, nga populli. Në mungesë të demonstratave dhe të protestave, më duket e palogjikshme që të pritet që Gruevski të japë dorëheqje tani. Është vërtetuar deri tani që kjo konjukturë politike i frikësohet shumë reagimit të popullit, ose më mirë të them imazhit që e ka në popull, rejtingut të vet. Nëse ka reagim në formë protestash masive, me turma të mëdha njerëzish, do të shtynin qeverinë e tanishme të pranojë të bëjë dialog për të gjetur mënyrën më të mirë politike për të dalë nga kriza.

Mendimi im është që Zaev mund ta luante ndryshe kartën e përgjimeve të shqiptarëve. Sikur të kishte nxjerrë diçka më substanciale dhe më të madhe (paralajmërohet që kohë se ka përgjime që kanë të bëjnë me Brodecin dhe rastin Monstra), atëherë do arrinte të krijonte një reaksion shumë të madh tek popullata shqiptare, e cila do të bëhej iniciatore e protestave masive mbarë shtetërore dhe që përfundimisht do të detyronin Gruevskin të lëshojë pe dhe të kërkojë zgjidhje politike të krizës. Megjithatë Zaev këtë nuk e bëri, ndoshta për të mbrojtur aleatin e vet BDI-në, ndoshta sepse akoma nuk i sheh partiakët e vetë maqedonas të gatshëm për të dalur në rrugë dhe për të demonstruar. Një reagim i vrullshëm i popullit do të krijonte edhe urgjencën e kontrollimit të një konflikti të ardhshëm ndëretnik, me këtë edhe një intervenim më të qenësishëm të ndërkombëtarëve.

Sido që të jetë, mendoj që gaboi që nuk e shfrytëzoi momentin e krijuar tek shqiptarët. Vetëm shqiptarët janë të gatshëm të dalin në rrugë dhe të kërkojnë përgjegjësi nga figurinat e veta politike për servilitetin e tyre të pështirë ndaj një regjimi që i ka lodhur dhe terrorizuar shqiptarët këto 9 vitet e fundit. Kushdo që e ka këshilluar, e ka këshilluar gabimisht. Kriza në vend është krizë e demokracisë. Vetëm reagimi i fuqishëm i popullit mund të jetë katalizator i zgjidhjes së tij.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. I nderuar! Kurr, nuk kane gabuar Zaevat dhe Gruevskat kundrejt Shqiptarve,! Ata e dijne se cka bajne dhe ku duan te arrijn, ata e dijne cakun , ndersa Ne jemi Naiva dhe injoranta kundrejt njani tjetrit!? Na mashtrohemi ne nje fjale te vetme qe sulmohet vellau yne alo oponenti yne dh Na , Na menjehere e lirojm uçkurin!!!

Back to top button