Në 1924, Medreseja e Tiranës jo vetëm institucion fetar por edhe arsimor

Këtë Medrese, neni 60 i Statuteve të Komunitetit Mysliman shqiptar e përkufizonte jo vetëm si institucion fetar, por edhe si institucion arsimor kombëtar, në të cilin do të mbizotëronte gjuha shqipe, trupa pedagogjike shqiptare dhe një program i përpunuar me teologë përparimtarë, thjesht shqiptarë.

Çdo individ i angazhuar në jetën publike duhet të ketë parasysh dy gurë kilometrikë në përditshmërinë e tij, të përkufizuar tash një mijë vjet më parë nga Ibn-Sînâ, Avicena; “ironinë e limiteve dhe kotësinë e stërmundimit”.

E konsideroj këtë paralajmërim të njërës prej mendjeve më të shkëlqyera të civilizimit islam, Sheh-el Reisit, princit të të urtëve siç e ka quajtur tradita, si një sfidë të përhershme, më shumë se sa si një ftesë për të hequr dorë në kontekste që ngrenë pikëpyetje. Shqetësimit të shurdhët të disave, lidhur me pjesëmarrjen e Kryeministrit në ceremoni që fokusohen mbi elementin fetar në Shqipëri, mund t’i përgjigjesh shumë lehtë duke e reshtur këtë pjesëmarrje.

Një laicitet i përgjumur mbi dafina të moçme dhe të zverdhura do t’i zinte kështu vendin ndërgjegjësimit të domosdoshëm mbi një urgjencë të kohës sonë; përballjes së çiltër e të përhershme midis dy udhërrëfyesve të një shoqërie demokratike; epërsisë dhe paanshmërisë së shtetit dhe lirisë së garantuar të ndërgjegjes dhe të shprehjes.

Liria e ndërgjegjes dhe shprehjes, e cila në Kushtetutën amerikane të 1776 dhe në Deklaratën franceze të të Drejtave të Njeriut dhe të Qytetarit të 1789 përbëjnë rrënjët e nocionit të të drejtave të gjithsecilit, mbeten edhe sot e gjithë ditën vreshta më e frytshme e lirisë së besimit.

Etërit e shtetit të pavarur shqiptar, të mbrujtur me ideale filozofike liberale, pa tjetërsuar përkatësitë e tyre fetare, ishin të bindur për domosdoshmërinë e ndërthurjes së promovimit të lirisë fetare me garancinë institucionale të bashkëpunimit mes një shteti unitar të përkujdesur, por të paanshëm dhe një bashkësie fetare të larmishme dhe të përgjegjshme.

Laiciteti i shëndetshëm nënkupton ndarjen mes shtetit dhe bashkësisë fetare, por edhe sinergjinë e vizionit për mbarëvajtjen e interesave të epërm të shoqërisë dhe të kombit.

Nuk është rastësi që më 1912-ën, nën shtysën e Ismail Qemal Vlorës, laik dhe liberal, në krye të Pleqësisë, shqipërim i bukur i termit Senat, u vendos ai intelektual i rrufeshëm që ishte Haxhi Vehbi Dibra, i cili në mars të 1924 do të inauguronte dhe Medresenë e Tiranës. Asokohe, i parëlinduri komunitet fetar plotësisht shqiptar, që në mars 1923 kishte vetëvendosur emancipimin nga një Kalifat i diskutueshëm nga vetë urtësia e teologëve dhe i përmbysur nga rreptësia e historisë, u gjend përpara vështirësive administrative për të siguruar ecurinë dhe mbarëvajtjen e tij dhe përcjelljen e mesazhit të tij nëpërmjet institucioneve të edukimit.

Në këto kushte, edhe pse tërësisht laik dhe ndoshta, sepse pikërisht, tërësisht laik, u shfaq garant dhe i përkujdesur shteti shqiptar. Medreseja e Tiranës u çel në zbatim të programit të Kongresit të parë mysliman shqiptar, por me një vendim të Qeverisë shqiptare e cila, atëbotë, në emër të laicitetit mbante fort monopolin e arsimit. Është në nderin e shtetit shqiptar që mbarëvajtja e lirisë së besimit në degëzimin e saj edukativ u garantua edhe në kohëra të turbullta, në mars të 1924, kur nuk kishte, për arsye krize politike, kabinet qeveritar, por vetëm një bashkërendim drejtorish teknike, duke siguruar hapjen e një medreseje qendrore. Këtë Medrese, neni 60 i Statuteve të Komunitetit Mysliman shqiptar e përkufizonte jo vetëm si institucion fetar, por edhe si institucion arsimor kombëtar, në të cilin do të mbizotëronte gjuha shqipe, trupa pedagogjike shqiptare dhe një program i përpunuar me teologë përparimtarë, thjesht shqiptarë. Shteti shqiptar ishte po ashtu pragmatik dhe i vetëdijshëm që në një kohë kur Tirana kryeqytet nuk kishte ende as gjimnaz, por vetëm një shkollë të mesme teknike, një medrese qendrore ishte, edhe pse përkohësisht, një shërbim publik që meritonte përkujdesjen e paanshme të autoritetit qeverisës. Historia vërtetoi në fakt dhe e vërtetoi shpejt, që Medreseja e Tiranës e kreu në një hapësirë kohore të shkurtër, brenda specifikës së vet, misionin shoqëror dhe kombëtar që i ishte mirëbesuar.

Për këtë arsye, gjejmë në gojën e politikanit dhe intelektualit Mehdi Frashëri, Kryetar i Këshillit të Shtetit dhe Kryeministër i mëpastajmë, i cili jo rrallë herë, ju e dini më mirë, ka qenë i ashpër dhe ekzigjent me komunitetin tuaj, këto fjalë domethënëse gjatë Kongresit të III-të të myslimanëve shqiptarë më 1929: “Çelja e Medresesë së Tiranës qe një sihariq për tërë botën islame shqiptare. Përparimi i vrullshëm për ne shqiptarët është një nevojë e jetës. Medresetë duhet të konfirmohen me frymën e shekullit brenda të cilit jetojmë”.

E pra, sot këto fjalë jehojnë në aktualitetin e tyre edhe pse jetojmë në një shekull të ri.

Të dashur miq, si Kryeministër i Shqipërisë, unë ndodhem këtu jo për hir apo për ironi të kufizimeve të laicitetit, as për t’u stërmunduar në përpjekje për mirëmbajtjen dhe meremetimin e ekuilibrit fetar që në fakt në Shqipëri është i sprovuar, është i mikluar dhe është i lakmuar.

Jam këtu, si pasrendës i autoritetit republikan që u kujdes të firmoste aktin e lindjes të një institucioni fetar por edhe edukativ, ku mësuan dhe performuan dijen e tyre personalitete si Hafiz Ali Korça, Hoxhë Kadri Prishtina, Haxhi Ali Derhemi, Hafiz Ali Podgorica, Ferit Vokopola firmëtar i deklaratës së Pavarësisë, Sheh Ibrahim Karbunara, Vexhi Buharaja, njohës i rrallë i osmanishtes, për të mos harruar Haxhi Hafiz Sabri Koçin, rimëkëmbësin e Komunitetit Mysliman pas rënies së diktaturës komuniste.

Jam gjithashtu këtu për të rikujtuar dhe përligjur, në emër të të njëjtit shtet shqiptar, mesazhin që citova më lart, të 1929: Medresetë lipset të konfirmohen në frymën e shekullit në të cilin jetojmë. Në kundërshtim me ç’u mendua nga filozofë entuziastë, edhe pse shpesh herë shumë të kthjellët, sot nuk duket se ideja e Hyjit të ketë vdekur, as që fetë të jenë duke shkuar drejt fundit. Përkundrazi, ato madje u rikthyen fuqishëm edhe në një vend si Shqipëria, e cila nekrologjinë e Zotit e shpalli edhe në Kushtetutë për disa dekada. Emergjenca e kohës nuk është pra shpëtimi i fesë, apo “nderit të Zotit”, siç shprehen disa fanatikë dritëshkurtër. Aktualiteti dëshmon në të kundërt se si emergjencë, për të gjithë, besimtarë dhe jo besimtarë, shfaqet sot e gjithë ditën më fortë se asnjëherë tjetër nevoja e shpëtimit të civilizimit, e shpëtimit të kulturës, e shpëtimi të qytetarisë. E pa asnjë dyshim, brenda kësaj nevoje për shpëtim, feja është ithtar i pazëvendësueshëm.

Çfarë mund të ketë të përbashkët midis barbarëve të DAECH dhe pseudo-Kalifatit islamik, që rrënojnë me një zell të përbindshëm dëshmitë e përbotshme dhe të përbashkëta të qytetërimit antik lindor, i cili mëkoi me shekuj, nga Mesopotamia në Stamboll, qytetërimet e njëpasnjëshme islame të Persisë, Arabisë, Turqisë dhe gjithë mozaikut të Lindjes së Mesme, dhe myslimanëve danezë që rrethojnë si një mburojë njerëzore sinagogat e Kopenhagenit apo myslimanëve shqiptarë që aty ku ndërtojnë një xhami, japin nga vetja për të restauruar një kishë?

Çfarë ngjashmërie mund të ketë midis të vrerosurish e të helmuarish që veten e mbajnë si të krishterë “integralë”, të cilët përdhosin varreza myslimane apo xhami në Europë dhe pasrendësve të vërtetë të atij Pape, Shën Gregorit të Madh, i cili qysh në shek. VII, urdhëronte të krishterët e Siçilisë të rindërtonin nga themelet një sinagogë të rrënuar nga fanatikë dhe zelltarë në emër të Krishtit?

E madhe është, të dashur miq, sprova me të cilën institucioni juaj civilizues duhet të përballet në epokën tonë.

Një besimtar i mirë nuk mjafton.

Një nxënës i mirë është prapë një arritje gjysmake.

Çka duhet arritur është një qytetar i lirë, i ndërgjegjshëm, i përgjegjshëm.

Domosdoshmërisht një qytetar i mirë, me pasion i orientuar drejt dijes, urtësisë dhe përgjegjshmërisë, “ashik” i Krijuesit pse jo, por edhe më fort i kulturës dhe i respektit për civilizimet.

Ky mision, që e tashmja e ngatërruar ja vë barrë mbarë Islamit të ndriçuar dhe myslimanëve të ndritur e të ditur, është edhe më tepër misioni historik dhe lavdia e përveçme për të cilën kjo medrese dhe medresetë e tjera të Shqipërisë duhet të aspirojnë me përdëllim dhe me zjarrin e zemrës. Dhe për këto aspirata meritojnë respektin e përulur, jo vetëm të këtij komuniteti, por të gjithë bashkësisë shqiptare, pa dallime fetare, bashkësisë së besimtarëve apo të jobesimtarëve.

Gjatë rrugëtimit tuaj në përmbushjen e këtij misioni për të cilin, të jemi të sigurt, brezat do të na kërkojnë llogari, shteti shqiptar duhet dhe do të luajë të gjithë rolin e tij. Përkujdesje dhe asnjëherë tutelë, vëmendje dhe dëgjesë të kurdohershme institucionale, po kurrsesi indiferencë apo vesh të shurdhët. Dhe aq më pak pastaj, lojë me shumë porta. Në krijimin e “Njeriut të Ri” ideologji fetare dhe politike fanatike dhe përjashtuese kanë qenë shpesh bashkautorë në krim. Ndërsa në krijimin e një qytetarie të mirëfilltë, besimet, institucionet e besimeve dhe shteti demokratik si i tërë janë detyrimisht dhe pazgjidhshmërisht partnerë strategjikë.

Shkrimtari i madh agnostik francez, André Malraux na ka lënë trashëgim një profeci, e cila, në kontekstin aktual, shfaqet e mbarsur edhe me një dozë ankthi: “Shekulli XXI-të, – thotë André Malraux, – do të jetë fetar ose nuk do të jetë”.

Prandaj stërmundohemi, të nderuar miq, shumë të nderuar klerikë apo besimtarë të thjeshtë, nxënës dhe njerëz të ditur, që mbi profecitë të ndërtojmë një shekull qytetarie dhe urtësie.

Kjo është sfida juaj.

Kjo është edhe sfida e atyre që themeluan këtë medrese që sot ne e kremtojmë, por padyshim, kjo është edhe sfida jonë, e të gjithëve së bashku, si njerëz, si qytetarë të kësaj kohe dhe si shqiptarë të mirë.

Lajme të ngjashme

Back to top button