U miratua llogaria përfundimtare e buxhetit të Komunës së Gostivarit

Këshilli i Komunës së Gostivarit mbajti seancën e 18 me radhë, me ç’rast këshilltarët komunal me 16 vota për, miratuan llogarinë përfundimtare të buxhetit të Komunës së Gostivarit për vitin 2014. Vota kundër dhe të përmbajtura nuk kishte.

Shyrete Elezi nga Departamenti për financa dhe buxhet, para këshilltarëve vuri në dukje se realizmi i buxhetit të Komunës së Gostivarit arrit në nivelin 93.7 % nga planifikimi paraprak, duke shtuar se realizimi i buxhetit në këtë nivel tregon seriozitetin e planifikimit të këtij buxheti.

“Kur themi mbi 90 % nga planifikimi, është një buxhet që në krahasim me komuna e tjera, tregon seriozitetin e planifikimit të këtij buxheti. Kemi pasur rebalanc të buxhetit me arsyetimin se pranuam mjete financiare nga Unioni Evropian, edhe atë mbi 12 milion denarë që Komuna e Gostivarit arriti t’i thith nga Unioni Evropian. Duke zbatuar ligjin për buxhet, ku thuhet se në qoftë se të hyrat janë më të larta se 5 %, e kemi detyrë të bëjmë rebalanc të buxhetit”, nënvizoi Shyrete Elezi nga Departamenti për financa dhe buxhet në Komunën e Gostivarit.

Kryetari i Komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta theksoi para këshilltarëve se punët e realizuara janë barometri kryesor i realizimit të buxhetit, duke nënvizuar se Komuna e Gostivarit, sipas analizave të kryera nga organizata joqeveritare, vazhdon të jenë komuna më transparente në nivel të shtetit.

Këshilltarët aprovuan edhe raportin për punën e Stacionit Policor të Gostivar për vitin 2014. Përgjegjësi i Stacionit Policor në Gostivar, Naim Aliu tha se gjatë vitit u ndërmorën masa preventive dhe aktivitete me qëllim të sigurimit të gjendjes stabile të sigurisë pa prishje më serioze të rendit dhe qetësisë publike si dhe forma më të rënda të veprave penale, duke shtuar se për dallim nga viti 2013, gjatë vitit 2014 u shënua ulje e veprave antiligjore në disa drejtime.

Me 17 vota për, këshilltarët miratuan raportin e stacionit policor për vitin e kaluar.

Këshilltarët dhanë dritë të gjelbër edhe për ko-financimin e projektit “Modeli Nansen për arsim të integruar”, që në Gostivar realizohet në Shkollën e mesme ekonomike dhe shkollën fillore “Goce Dellçev”.

Këshilltarët i dhanë pëlqim vendimit të Këshillit Drejtues të N.P “Komunalec”, për miratimin e raportit për punën për periudhën prej 01.01.2014 deri 31.12.2014, si dhe pëlqim ndaj vendimit të Këshillit Drejtues të N.P “Komunalec”, për miratim të llogarisë vjetore për vitin 2014.

Lajme të ngjashme

Back to top button