Stoltenberg: NATO i ndjek me shqetësim zhvillimet në Maqedoni

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg në një konferencë të përbashkët me kryeministrin e Maqedonisë, Nikolla Gruevski sot në Bruksel tha se NATO i ndjek me shqetësim zhvillimet në Maqedoni dhe insiston të ketë liri të shprehjes dhe funksionim të institucioneve demokratike në vend.

“U bëjmë thirrje të gjithë forcave politike të angazhohen për reformat politike dhe ekonomike në vendin tuaj. Kjo është në interes të të gjithë qytetarëve” tha Stoltenberg.

Ai refuzoi ti komentojë informatat se pas skandalit të përgjimeve në Maqedoni qëndrojnë shërbime të huaja sekrete ashtu si që thotë Qeveria e Gruevskit. Duke u përgjigjur në pyetjen: A do ti ndihmojnë NATO Maqedonisë ti zbulojë këto shërbime sekrete të cilat sipas kryeministrit Gruevski qëndrojnë pas tentimit për destabilizim të Maqedonisë, Jens Stoltenberg tha se nuk dëshiron të komentojë aktivitetet e tilla.

“E nënvizoj vlerën e lirisë së mediave, kërkojmë ti lejohet opozitës të funksionojnë në mënyrë normale, këto janë vlera demokratike të cilat duhet të respektohen” tha ai.

“Kërkojmë hetim të pavarur dhe të thuktë për këto akuza shumë serioze. Ata që janë përgjegjës duhet të japin përgjegjësi për atë që ka ndodhur” tha sekretari i përgjithshëm i NATO-s.

Në temën e njëjtë, kryeministri Gruevski tha se ia ka përshkruar Stoltenberg-ut situatën në vend duke refuzuar edhe ai të komentojë mundësinë e përzierjes së shërbimeve sekrete në Maqedoni duke theksuar se “kjo do të jetë pjesë e procesit gjyqësor i cili do të jetë transparent. Jemi të hapur për çfarëdo qoftë monitoringu” tha Gruevski.

Bashkëbiseduesit kanë folur për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO ndërsa Stoltenberg ri-përsërirtit se kusht kryesor për anëtarësim mbetet zgjidhja e çështjes së emrit me Greqinë duke mos harruar edhe reformat e tjera demokratike në vend. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button