“Bastardi” politik i (mos)pajtimit

“Pylli ishte ankuar Zotërisë së vet se sëpata po e priste pamëshirshëm.  Kishte marrë pylli përgjigjen se për këtë vetë e kishte fajin, sepse lejoi që të gdhendej nga trupi i tij bishti i sëpatës”, thotë një anekdotë anonime. Mjerisht ne, shpesh, gjatë gjithë historisë e deri në ditët e sotme, kemi qenë “bisht i sëpatës” së dikujt e kemi punuar kundër interesave tona kombëtare. S’dëshirojmë të ndodhë kështu edhe me partnerin kryesor të koalicionit aktual qeverisës në Maqedoni (BDI), që është kapur fuqishëm për “Marrëveshjen e Ohrit”, përderisa pala tjetër për “emrin kushtetues”. Ky koalicion, me atutë e veta po e mban “gjallë” pushtetin me  këmbë të qelqta, duke vërë në lajthitje edhe popullatën ndër vite. 

Partia shqiptare në pushtet tashmë si duket ka detektuar djallëzinë e partnerit të vet qeverisës, por mbase është në pyetje ndonjë justifikim shumë sekret që po e mban “me çdo kusht” edhe më tej në këtë qeveri. Për partnerin shqiptar mbase janë të tilla “instruksionet” e faktorit ndërkombëtar, kjo pikë e dobët e shqiptarëve për “dëgjueshmëri”, por kjo diplomaci  s’është aq lehtë e zbërthyeshme, siç pretendojnë politikanët shqiptarë. Ajo ngërthen shumë kurthe të fshehta, që duhen deshifruar me kohë. Duhet kuptuar njëherë e përgjithmonë se “karota dhe shkopi” nuk shkojnë bashkë. Mund të vijnë një ditë në situatë të bashkëfajësisë, për ndonjë dështim strategjik e të panderë të partnerit të vet në shtigjet euro-integruese. 

Po qe se ngulim këmbë në shoshitjen e Marrëveshjes së Ohrit, atunë kryesore politike të “integristëve”, si një “sajesë” e imponuar nga ndërkombëtarët në kushte lufte, e cila, sipas dioptrisë së disa subjekteve politike (maqedonase e shqiptare), ishte shndërruar në një “bastard” politik qysh si “foshnje”, i braktisur në duart e përfaqësuesve të UÇK-së së transformuar në parti politike. Përqafuan atë, pikërisht ata që ishin projektues, por jo edhe nënshkrues të saj, më 13 gusht 2001. Ndërkaq nënshkruesit, tre liderët politikë maqedonas dhe dy shqiptarë, me përjashtim të përfaqësuesve ndërkombëtarë (BE dhe SHBA), në njëfarë mënyrë, ndonjëri më shumë e ndonjëri më pak, mohuan nënshkrimin e “atësisë”, për t’i lënë BDI-së aktin e “birësimit”. Të gjithë, pra, e braktisën në mënyra të ndryshme, ndërkohë që me dashuri amtare mori në prehër vetëm BDI-ja, e cila e mban ende në jetë.

Përfaqësuesit e kësaj partie në qeveri, që kanë obligime konkrete kushtetuese për implementimin e plotë të saj, madje nuk janë fort të kënaqur me nivelin e realizuar dhe këtë gjendje po e shprehin edhe publikisht. Për sendërtimin e saj, më shumë insistojnë nga Brukseli, madje nga kjo varet nëse Maqedonia do të marrë datë për negociata me BE-në, më shumë se sa që është pengesë kontesti i pazgjidhur me emrin, që aq shumë po trumbetohet.

Pala tjetër, ndërkaq, qartë është përcaktuar për mohimin e Marrëveshjes së Ohrit (MO), ndonëse sillet me ndërkombëtarët në stilin: “Ngre e mos këput”. Partneri i sotëm qeveritar i BDI-së, qysh në vitin 2004 mbajti referendum, në të cilin mbi 400 mijë maqedonas u përcaktuan kundër MO-së, sikundër që kërkoi vënien e marrëveshjes nën “moratorium” gjatë pazarllëqeve qeveritare në vitin 2008, ndaj dhe s’do shumë mend se pse është i këtillë fati i saj institucional. Ky referendum kundër Marrëveshjes së Ohrit tregoi qartë se pala tjetër nuk dëshironte barazi me shqiptarët, ndonëse pa një marrëveshje të këtillë, Maqedonia rrezikonte të shpërbëhej.

Ç’është e vërteta, kjo marrëveshje, gjatë jetësimit të saj 12 vjeçar, ka fituar shumë epitete: “Marrëveshja e paqes”, “Marrëveshja që ndali konfliktin”, “Marrëveshja që ndryshoi Kushtetutën”, “Marrëveshja që solli barazinë në punësime”, por edhe u mohua: “Marrëveshja ka përfunduar”, “Marrëveshja në përfundim e sipër”, “Marrëveshje është inekzistente” apo “Marrëveshja është e vdekur”, madje  edhe “e vdekur, por jo edhe e  varrosur” etj. etj. 

Duhet apo s’duhet të respektohet Marrëveshja e Ohrit? E para, ata që tentojnë të mos e respektojnë Marrëveshjen e Ohrit, qofshin shqiptarë apo maqedonas, s’mund ta maskojnë tentimin se duan ta mohojnë luftën e vitit 2001, kur bukur shumë sakrifikoi ky popull dhe shumë sish paguan atë me gjak. Marrëveshja është “pjellë” e kësaj lufte, ndaj dhe pa të bëhet “inekzistente” kjo e dyta, pavarësisht nga niveli i realizimit të synimeve kombëtare. Asnjë marrëveshje tjetër e re që po propagandohet, si “marrëveshje e re shqiptaro-maqedonase”, nuk mund të jetë më e fuqishme se kjo dhe me më shumë garanci ndërkombëtare, sepse kjo është nënshkruar me gjak. 

E dyta, kjo luftë e kjo marrëveshje ndryshoi Kushtetutën e RM-së, e cila një dekadë (1991-2001) ishte gjenerator i krizës. Nëse mohohet kjo luftë, atëherë mohohen edhe ngjarjet shumë të rëndësishme paraprake që ndodhën gjatë viteve të 90-ta, shumë dramatike dhe me shumë sakrifica, që kulmuan me luftën e vitit 2001. Do të duhet të mohohet bojkotimi i referendumit për pavarësi të Maqedonisë nga ana e shqiptarëve, bojkotimi i deputetëve shqiptarë në Parlament gjatë miratimit të Kushtetutës së parë të shtetit të pavarur, pastaj ngjarjet tragjike të Bit-Pazarit, Ladorishtit, afera e armëve, themelimi me gjak i Universitetit të Tetovës, përleshjet me policinë në protestat e Gostivarit për mbrojtjen e flamurit kombëtar e të tjera, që lëkundën skajshmërisht marrëdhëniet ndëretnike në Maqedoni dhe besimin në institucionet e shtetit.

Së treti, shpallja e pavarësisë së këtij shteti më 8 shtator 1991, pa një konsensus me shqiptarët dhe miratimi i Kushtetutës së re në dëm të shqiptarëve, ishte një fillim ogurzi për këtë shtet të ri në Ballkan, që pretendonte të jetë i pavarur dhe sovran vetëm për maqedonasit. Fatura për gabimet e bëra politike, nacionaliste, mospërfillëse ndaj kërkesave të shqiptarëve etnikë në Maqedoni, erdhi në pranverën e vitit 2001. Dëmet ishin të paimagjinueshme, të pakthyeshme, me drama njerëzore e materiale, me një konflikt ushtarak ndërnacional, që, megjithatë, përfundoi në tryezë, me Marrëveshjen e Ohrit. 

Në fakt, Marrëveshja e Ohrit, të cilën BDI-ja e konsideron si fitoren e saj më të madhe politike, solli paqen, por jo edhe pajtimin mes palëve të konfrontuara, mes maqedonasve dhe shqiptarëve. Kjo dëshmon se Maqedonia si shtet i dy komuniteteve më të mëdha, maqedonasve dhe shqiptarëve, ende po funksionon si një shoqëri e ndarë dhe me një jetë paralele. Për këtë më së miri dëshmon fakti se si e shënuan kohë më parë (13 gusht 2013) 12- vjetorin e nënshkrimit të marrëveshjes, shqiptarët dhe maqedonasit. Të dyja palët shënuan ndaras ngjarjet e tyre tragjike. Ata nuk morën pjesë në shënimin, përkuljen dhe respektimin e tragjedive të njëri-tjetrit, që do të ishte një sinjal i mirë për pajtim. Sllupçani, Luboteni etj., u shënuan vetëm nga elita politike shqiptare e përfaqësuar nga BDI-ja, ndërsa Karpallëku dhe Tëbanat e Lubotenit nga elita maqedonase. Kjo marrëveshje nuk i afroi asnjëherë të dy bashkësitë etnike, që dolën nga konflikti i vitit 2001, ndonëse së voni edhe OSBE-ja rekomandoi që pengesat në zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit duhet të tejkalohen, duhet të arrihet fitorja mbi urtësinë dhe dialogun, kundruall konfliktit.

Lajme të ngjashme

Back to top button