Nga kush do të donte Edi Rama ta merrte pensionin?

Ka qenë plot humor e batuta fjalimi i sotëm i kryeministrit Edi Rama gjatë një takimi me pensionistët shqiptarë, ku u inaugurua një zyrë moderne e ndarjes së pensioneve në Tiranë.

Kryeministri Rama tha se veç rritjes së pensioneve Qeveria po mendon edhe për shërbimin ndaj të moshuarve, në mënyrë që ata të mos rrinë të presin me orë të tëra, transmeton KosovaPress.

Ai tha me humor se nuk e sheh të errët perspektivën e daljes në pension, pasi do ishte kënaqësi për të, që ta merrte pensionin nga vajzat e bukura dhe të sjellshme. “Nuk mund të rri dot pa e thënë që kur hyra dhe pashë këto vajza të mrekullueshme që na rrethojnë nuk mu duk edhe aq e errët perspektiva për të dal në pension, sepse është vërtet kënaqësi që të vish të marrësh pensionin dhe të ndeshësh këto fytyra të pastra dhe të bukura e të buzëqeshura,” tha Rama.

Kryeministri foli edhe për skemën e re të pensioneve ndërsa theksoi se kjo skemë do të sjellë pensione më të larta dhe një shërbim më të mirë për të gjithë të moshuarit e Shqipërisë.

“Reforma e pensioneve është një nga gjërat më të rëndësishme dhe më themelore që ne kemi bërë në rrugën e shtetndërtimit ku secili kontribuon sipas mundësisë por shpërblehet dhe shërbehet sipas kontributit. Faktikisht kemi një rritje të përgjithshme dhe progresive të pensioneve dhe se faktikisht të gjithë përfitojnë një pension më të lartë falë kësaj reforme,” theksoi Edi Rama.

Lajme të ngjashme

Back to top button