Tetovë, MPB-ja shkel ligjin e gjuhës

Ministria e Punëve të Brendshme shkel ligjin e përdorimit të gjuhëve, duke shpërndarë afishe nëpër pikë pagesat rrugore, vetëm në gjuhën maqedonase. Javë më parë, në koordinim me Agjencinë e Rrugëve, MPB-ja nisi fushatën sensibilizuese duke ngjitur nëpër xhamat e pikave pagesore afishe të cilët paralajmërojnë mos hedhjen e bishtave të cigareve të ndezura, respektimin e shpejtësisë maksimale të lejuar, etj, por vetëm në gjuhën maqedonase, transmeton Alsat-M.

“Afishe të këtilla janë ngjitur në pothuajse të gjitha rrugët e vendit tonë, megjithatë, në asnjërën prej tyre, ekipi i televizionit Alsat M, sot nuk vërejti që të ketë në gjuhën shqipe”.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme nuk kanë dashur të komentojnë para kamerave. Zëdhënësi Ivo Kotevski, i kontaktuar nga ALSAT hodhi poshtë informacionet se afishet janë vetëm në maqedonisht. “Informacionin nuk e keni të saktë sepse afishet janë edhe në shqip edhe në maqedonisht, por një rast i tillë mund të ketë ndodhur; nëse rajoni përreth pikës pagesore, është i përbërë nga maqedonas”, u shpreh Kotevski. 

Nga ajo që konstatoi ekipi i televizionit ALSAT, teorisë së Kotevskit bie për sa i përket pikës pagesore Tetovë-Gostivar. Afishet e ngjitura janë vetëm në gjuhën maqedonase, edhe pse shumica e rajonit përbëhet etnikisht nga shqiptarët.

Lajme të ngjashme

Back to top button