RRAJNI TRAUKËT!

Rreth shtëpisë sime gjenden disa bastore ku njerëzit shkojnë ta blejnë fatin me pesëdhjetë a njëqind denarë. Lagjja ime është lagje që po bëhet proletare dhe të gjithëve në këtë situatë u bëhet se çdo tiketë fati në bastore e gabojnë vetëm për një ndeshje. Vetëm për një. Gjithmonë vetëm një rezultat u ikën. Një. Dhe, unë për vete, nuk e kam dëgjuar asnjë njeri që ta ketë zënë edhe atë një rezultat të mallkuar.

Çdo ditë renditen para ndonjërës nga bastoret e paguajnë tiketën dhe futen në çajtore qetë ta ëmbëltojnë fytin me një çaj rusi. Këpucët në të shumtën i kanë të vjetra, të vjetra e ndoshta edhe u rrjedhin, kurse teshat diktohen se i kanë nga koha e Jugosllavisë si kujtim, por edhe si pasuri materiale që do t’u shërbejë deri në fund të jetës. Derisa i kalojnë ato dhjetëra metra nga njëra bastore e deri në njërën nga çajtoret e lagjes ndonjëri fishkëllen e tjetri këndon. Zakonisht bëhet fjalë për ndonjë këngë folklorike që i këndojnë trimërisë e krenarisë. Por kësaj radhe flakën e bisedave e kanë ndezur “bombat” e LSDM-së dhe nuk ka këngë, por një kërshëri që nxit pyetje të shumta.

Unë, për vete, nuk i besoj fort fatit që mund të vijë nga bastorja. Prandaj nuk shkoj atje. Në çajtore po. Ndonjëherë. Rrallë. Si sot. Dhe, i dëgjoj hallet e njerëzve pa punë.

Edhe sot njerëzit kryesisht vijnë me tiketa të bastores. Me shpresë. Ulen në çajtore, ulen në ndonjërën tavolinë ku tashmë dikush ka arritur më parë dhe e vazhdojnë bisedën aty ku e kanë lënë të tjerët, që kësaj here si top temë i kanë “bombat”. Por shpesh ndodh që ndonjëri të mos duket në çajtore. Edhe sot ka të tillë që mungojnë.

“Ç’u bë Hima”?

“Aaa, Hima shkoj n’azil… Ka shku n’Gjermani ene si duket do zane vend se për gruen e vet meniherë paska xhet punë: i rron caullt e ni zoje gjermane”…

“Majr  ja ka ba! Xhi do boje ktau. Sa vjet rraj pa punë”!

“Po Lali”?

“Ene ai ia ka mbathë”!

Bisedën e sotme, ku “bombat” ishin në qendër të vëmendjes, e ndërpreu diçka. Sokakut vinte një veturë e re,  mercedes i zi. Shoferi disa herë i ra borisë para se të dilte dhe thuajse të gjithë nga çajtorja shikuan për dritareje ta shohin se kush ishte. Dola edhe unë, megjithëse ishte mjaft ftoht. Ishte njëri nga shokët e partisë. Ai doli hijerëndë, i veshur me të zeza, me një kollare të kuqe. E ngriti kryet pak, u ra me dorë përpjetë flokëve  dhe buzëqeshi, duke e bërë të dukshëm dhëmbin e artë. Shumë njerëz dolën ta shohin prej së afërmi veturën që vizëllonte jashtë e shkëlqente përbrenda. Karriget prej lëkure, në pasqyrë kishte varur një par tespihe qelibari, ndërsa në pjesën e prapme e kishte vendosur një qen kukull, i cili e lëvizte kokën thuajse është i gjallë. Çdo gjë në veturë ishte automatike. Pastaj shoku i partisë e mbylli veturën me një të prekur të çelësit. U ulën të gjithë që ishin brenda në çajtore dhe u futën pas tij brenda të gjithë ata që një herë dolën ta shijojnë pak shkëlqimin që e sillte shoku i partisë. Njerëzit shtyheshin se kush do ta qerasë shokun e partisë me kafe. Kafexhiu i rrudhi buzët e pastaj tha disa herë “sabër, sabër” me qëllim që t’ua bëjë me dije myshterinjve të tij që të mos nguten. Shkoi shpejt, e ndërroi çarçafin e tavolinës ku u ul shoku i partisë, u rrotullua duke përsëritur edhe një herë “sabër, sabër”, pastaj u kthye te banaku dhe erdhi me një shishe uiski dhe një gotë kristali, të cilat i vendosi para shokut të partisë. Shoku i partisë u ngrit në këmbë, u falënderua dhe e ngriti dorën në shenjë përshëndetjeje, që pastaj u duk edhe si kërkesë të ulen njerëzit. Dhe, të gjithë u ulën duke pritur fjalën e tij. Vallë çfarë do të thotë? A do të japë ndonjë ofertë, ndonjë shpresë për të dalë nga mjerimi. Dhe, çfarë do të thotë për “bombat”? Pastaj shoku i partisë u ngrit, i përshëndeti të gjithë të pranishmit duke u thënë: “Gëzuar”! E piu pijen me fund dhe u ul.

“Kamerier”, bërtiti si ishte ulur. “Të gjithëve nga një pije! Qeras partia!

Lëshuan disa djem të shpërndanin çaj, kafe, lëngje… Por u vu në lëvizje edhe kureshtja: çfarë ndodhi? Shokët e partisë, priftërinjtë e hoxhallarët s’e kanë zakon të qerasin. Shoku i partisë u ngrit edhe njëherë, kurse njerëzit dy vesh i bënë katër ngase do të kenë menduar se më në fund shokët e partisë do ta thonë ndonjë fjalë për “bombat”.

“Në fund të muajit kemi kongres tematik. Do të flasim për eurointegrimet”!

Ai priti një duartrokitje, po kësaj radhe heshtja e pushtoi çajtoren.

E miratova këtë heshtje dhe i them një fqinji që ishte në tavolinën time:

“Une dola”. Edhe ai erdhi pas meje. “Vendi vlon, ato me pallavra: integrime e çintegrime. Kto nuk dojkan t’krajsin ‘bombat’ !

“Xhi do dale mas ksaj tollovaje”? më pyeti fqinji.

“Xhi do dale?… A e ke lexau Huan Rulfon? Romanin Pedro Paramo.

“Po”.

“Epo e ma mend majr, kur e pata lexau, e para çi m’ra n’saj ishte pikëllimi çi vajn mas revolucionit. Rulfoja jetën mas revolucionit e shef si mohim t’vlerave t’traditës. Jeta n’kot kohë asht faj ene heka. Kurrxha qetër. Aj revolucionin e shef me sarkazëm, nuk ka doni shpresë se do bere doni send t’hajrit, po veç dëshprim. Mossuksesi i revolucionit asht i pashmangshëm se revolucionarët e parë ma s’shpeshi janë njerzi pa doni vetëdije të kristalizaume për randsajnë e revolucionit. Me kohë, kur u kristalizohen punët, ato e kanë vonë se ma janë t’fundosëm n’detin e lakmajs për t’u pasunau  dhe për t’i shfritzau privilegjet çi i ofron pushteti”…

“Po halli”?

“A e njove Musën xhi tha”?

“Jo”.

“Njoe ene d’e marrësh vesht”.

“Majr masi paska folë”.

“Foli Musa.Tha nuk asht me randsaj xhi ka mrenda atine bombave, po me randsajë asht ku i kanë marrë ene si i kanë marrë ato ‘bomba’.“ Kur ta marrësh ene ta analizojsh fjalën a atij, duhet t’nalesh pak ene t’mendojsh majr. Fjala e Musës na çon t’fala: Rrajni traukët!  na thotë. “Si thaue taj, a duhet ta mshelim gjojnë”?

“Boll kimi najt traukët”, tha fqinji. “Pse, a duhet ta kërkojmë shtekin n’bastore, a?… A duhet ta lamë pragin ene oxhakin ene t’shkojmë terma-teposhtë napër botë?”

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button